Interesant është fakti se pikërisht i plagosuri, deri në momentin e ekstradimit në Maqedoni, ishte konsideruar i vdekur, pasi familjarët e tij kishin marrë informacion se djali i tyre ka vdekur në njërën nga betejat e Sirisë, me çka familja në Shkup i kishte hapur dyert për ngushëllime
Vedat MEMEDALIU
Shkup, 31 gusht – Elmedin Osmani i lindur më 1994, Bunjamin Fetov (1994), Safet Ramadani (1990) dhe Amet Xhengis (1990), që të katërt nga Shkupi, Orhan Zhupani (1987) dhe Ibrahim Shabani (1977) nga Gostivari, si dhe Almir Mirtovski (1995) nga fshati Lisiçan i Makedonski Brodit janë shtatë shtetasit e Maqedonisë, të cilët javë më parë u ekstraduan në Maqedoni pasi shumë kohë më parë, ishin arrestuar nga forcat kurde të Sirisë gjatë luftës me luftëtarët e ISIS-it, shkruan gazeta KOHA.
Burime zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme informojnë për gazetën KOHA se shtatë të rinj shqiptarë, tashmë në paraburgim në burgun e Shutkës, ishin arrestuar nga forcat kurde gjatë rënies së fuqisë së ISIS-it në qytetin e Idlipit dhe në Alepo, ndërsa drejt Sirisë kishin udhëtuar në vitin 2013.
Të akuzuarit për pjesëmarrje në luftëra të huaja, shtatë pjesëtarët e ISIS-it në vatrat e luftës në Siri kishin shkuar nga Turqia, ndërsa për disa muaj me radhë, pas arrestimit, kanë qëndruar në bazat ushtarake të forcave ndërkombëtare në Siri, të afërta me SHBA-të. Njëri nga shtatë të akuzuarit, nga Shkupi është i plagosur dhe me një këmbë të amputuar. Madje, interesant është fakti se pikërisht i plagosuri, deri në momentin e ekstradimit në Maqedoni, ishte konsideruar i vdekur, pasi familjarët e tij kishin marrë informacion se djali i tyre ka vdekur në njërën nga betejat e Sirisë, me çka familja në Shkup i kishte hapur dyert për ngushëllime.
“Të gjithë e kanë ditur për të vdekur, pasi familjes disa muaj përpara, dikush nga Siria, shokët me siguri, i kishin thënë se djali i tyre ka vdekur. Dhe, kuptohet, familja i kishte hapur dyert për ngushëllime dhe deri në momentin e ekstradimit, të gjithë e kanë ditur se 28-vjeçari është i vdekur. Telefonata nga burgu i Shutkës ka qenë shok, pasi ishte e pabesueshme se është gjallë pas gjithë asaj që kishin kaluar familjarët”, thonë familjarë të afërt të njërit nga të arrestuarit.
Ndryshe, fillimisht Ministria e Punëve të Brendshme pati deklaruar se, në një aksion më të gjerë, ka arrestuar shtatë shtetas të Maqedonisë për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë, që më pas, të pranojë se të arrestuarit, në fakt janë persona që ekstradohen nga një vend aleat për luftë kundër terrorizmit. Ishte Departamenti Amerikan i Shtetit ajo që sqaroi se bëhet fjalë për shtetas të Maqedonisë që kanë luftuar në radhët e ISIS-it, por që janë arrestuar nga forcat kurde në njërën nga betejat e Sirisë. Madje, SHBA-të falënderuan Maqedonisë për vullnetin e mirë që këta të burgosur t’i ekstradojë në vendlindje. (koha.mk)
SHTATË TË ARRESTUARIT
Elmedin Osmani, 14.08.1994 Shkup
Bunjamin fetov, 22.03.1994 Shkup
Safet Ramadani, 25.08.1990 Shkup
Amet Xhengiz, 13.03.1993 Shkup
Orhan Zhupani, 11.03.1987 Gostivar
Ibrahim Shabani 22.05.1977 Gostivar
Almit Mirtovski, 27.05.1995 Makedonski Brod