Qytetarët ende i kanë të freskëta ndodhitë e atëhershme brenda Lëvizjes BESA kur dy grupet kishin përplasje të hatashme për “bravat” e partisë, me çka doli një parti e re me emrin Alternativa. Ndërsa tani po paralajmërohet një bashkëpunim sensacional mes ish bashkëpartiakëve, konkretisht mes Lëvizjes BESA dhe Alternativës për një koalicion të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare
Xhenur ISENI
Shkup, 4 maj – Dikur ishin një parti, ndërsa tani të ndara në dy parti – Lëvizja BESA dhe Alternativa sërish do të bashkëpunojnë, por pse dhe sa thellë mund të shkojë ky bashkëpunim? Besar Durmishi nga Lëvizja BESA thotë se synimi për ndërrimin e pushtetit i bashkon me cilindo subjekt politik që ka të njëjtin synim, ndërsa thekson se është herët të flitet për formën e bashkëpunimit. “Të gjitha subjektet politike synojnë që në procesin zgjedhor që do të na vijë shumë shpejt, domethënë në zgjedhjet qendrore të arrijnë të maksimizojnë trupin votues dhe planin apo platformën që e kanë të arrijnë ta implementojnë dhe ta realizojnë dhe e gjithë kjo arrihet me ardhjen në pushtet është normale që të ketë koalicione të tilla apo bisedime me të gjitha subjektet jo vetëm me Alternativën, por me të gjitha subjektet politike”, tha Besar Durmishi.
Nga ana tjetër, sekretari i Alternativës, Orhan Murtezani, pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore të Alternativës, tha se kanë autorizuar kryetarin e tyre, Afrim Gashin, në bisedime pa kufizime për si në Parlament, si për koalicione me Lëvizjen BESA. Ai tha se Alternativa e bën këtë duke tejkaluar kështu vetveten për të mundësuar ndryshimin e shumëpritur në kampin politik shqiptar. “Alternativa e tejkalon vetveten dhe shpreh gatishmërinë për një front të gjerë opozitar shqiptar, për të sjellë ndryshimin e shumëpritur. Ne shprehim gatishmërinë tonë për çfarëdolloj bashkëpunimi në kuadër të kampit politik shqiptar”, u shpreh Murtezani.
E meqë Alternativa dhe Lëvizja BESA po afrohen si një kamp opozitar, a është i gatshëm fraksioni i BDI-së, i njohur si “Grupi i Zjarrit”, të bashkëpunojë me ta? Blerim Bexheti thotë se është herët për të folur për bashkëpunim të këtillë, ndërsa thekson se lufta e tyre tani për tani mbetet brenda partisë për, siç thotë , ta nxjerrë më të mirën për mbështetësit e politikave të tyre. “Gjithsesi se duke dëgjuar zërin e qytetarëve të jemi shumë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm që të veprojmë konform zërit të qytetarëve. Mendoj se është herët ne të prononcohemi për të ardhmen se si do të zhvillohen hapat e mëtutjeshëm, atyre u dëshiroj sukses nëse do të sjellin një vendim të tillë të bashkëpunojnë, është shumë legjitim nga ana e tyre. Gjithsesi ne dallojmë nga ekzekutivi, duam që t’i krijojmë më shumë hapësirë më të madhe zërit të qytetarëve, gjegjësisht elektoratit që na mbështet në kontinuitet”, deklaroi Blerim Bexheti, i cili është pjesë e “Grupit të Zjarrit” brenda BDI-së.
Për njohësit e rrethanave politike në vend një ribashkim i mundshëm mes ish bashkëpartiakëve nuk do të ishte surpriz sepse rrjedhin nga i njëjti bosht ideologjik. “Bashkëpunimi në mes të Alternativës dhe Lëvizjes BESA, qoftë si dy parti të veçanta por qoftë edhe në ribashkimin e tyre për mua nuk është surprizë. Të dy partitë rrjedhin nga i njëjti bosht ideologjik dhe ndarja tyre nuk u shkaktua nga divergjenca ideologjike apo përcaktimet programore por nga interesa të ngushta individuale dhe lufta për kontroll mbi partinë. Megjithëse Lëvizja BESA është në një situatë pak më të përshtatshme për shkak të pushtetit lokal të cilën e kontrollon në Tetovë dhe Zhelinë, të dy partitë janë në luftë për mbijetesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ky është faktori kryesor që i shtyen drejtë një veprimi të tillë. Këtë mundësi të ribashkimit apo koalicionimit mes tyre e dikton edhe mungesa e alternativave për bashkëpunim me partitë tjera sepse që të dyja ‘tradhtuan’ partnerët e tyre nga zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe kredibiliteti i tyre si partner të mundshëm është pothuajse inekzistent, madje edhe tek vetë VMRO-DPMNE e cila gjithashtu ka nevojë për afirmim dhe partner shqiptarë. Prandaj, nëse ndodh – dhe me shumë gjasë do të ndodhë një lloj ribashkimi, nisur nga faktet e mësipërme nuk do të jetë befasi, ndërkaq është çështje tjetër se çfarë suksesi do të prodhojë dashuria e re mes dy të dashurve të vjetër”, ka deklaruar për KOHA, Sefer Selimi, analist.
Nga ana tjetër, analisti politik, Arben Llalla thotë se partia e Afrim Gashit është pjesë e shkëputur e Lëvizjes BESA dhe se ky koalicion i mundshëm nuk do të sjell sukses. “Alternativa është pjesë e shkëputur e Lëvizja BESA. Çështja është kush po i bashkon? Unë besoj se një palë e tretë jashtë Maqedonisë që s’ka lidhje me shqiptarët po i bashkon, gjithnjë në dëm të çdo gjëje shqiptare qoftë politike, ekonomike dhe fetare. Pasi ishin vëllazëruar në bazë të interesave ekonomike, u ndanë, u shan, u përlanë dhe përsëri duan të vëllazërohen. Por plani i këtyre dy drejtuesve të Lëvizjes BESA dhe Alternativës do të dështojë sepse ka të bëj vetëm për interesa ekonomike individuale”, ka deklaruar për KOHA, Arben Llalla, analist. (koha.mk)