Një nga mangësitë kryesore të sistemit arsimor është ajo se, diploma që supozohet se duhet të garantojë kualifikime të caktuara, nuk përputhet me praktikën – apo punëtorët nuk posedojnë me të vërtetë shkathtësitë e kërkuara. Nga 100 studentë të diplomuar, vetëm 17 punojnë në profesionet e tyre, ndërsa punëdhënësit i vlerësojnë të diplomuarit me notën 6 në shkallën prej 1 deri 10
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 dhjetor – Vite me radhë, afaristët ankohen se arsimi nuk ndjek nevojat e tregut të punës dhe nuk plotëson kërkesat e tyre për punëtorë, ndërsa ofrohet kuadër që nuk kërkohet nga kompanitë. Njohësit e tregut të punës në Maqedoninë e Veriut, por edhe Odat Ekonomike vlerësojnë se gati nuk ekziston sektorë në shtet ku nuk mungojnë punëtorë të kualifikuar duke filluar nga ndërtimtaria, industria, turizmi, shërbimet dhe shëndetësia private, shkruan gazeta KOHA.
“Ekonomia ka mungesë të kuadrit profesional për shkak të mungesës së analizave për nevojat në tregun e punës, ndërsa analizat që i bëjnë organizatat jashtë sistemit shtetëror arsimor – nuk merren parasysh gjatë krijimit të politikave të reja. Shkaqet e tjera janë edhe joefikasiteti i institucioneve, si dhe implementimi joefikas i ligjeve dhe strategjive. Njëherësh, edhe fakti se 80 për qind e të papunëve janë të papunë në një periudhë afatgjatë e pasqyron mosharmonizimin e shkathtësive dhe kompetencave”, thotë Natasha Janevska nga Oda Ekonomik e Maqedonisë.
Sipas saj, në favor të përmirësimit të kësaj situate nevojiten intervenime në arsimin dual që të sigurohet kuadër profesional, si dhe zgjidhje e zbrazëtirave për kualifikime dhe shkathtësitë e nevojshme përmes zgjidhjes sistemore të arsimit dual. Ajo shton se nevojitet modernizimi i programeve arsimore me rezultatet relevante të mësimit, këshillim profesional dhe orientimi i nxënësve, adaptimi i sistemeve arsimore ndaj nevojave ekonomike dhe teknologjike, e kështu me radhë.
KUANTITETI PARA CILËSISË
Nga Instituti Fajnens Think thonë se kompanitë vendore dhe të huaja janë në hall të madh që të gjejnë kuadër përkatës në tregun e punës, për shkak se ekziston hendek i madh midis ofertës së kualifikimeve dhe shkathtësive me të cilat disponojnë nxënësit dhe studentët që dalin nga bankat shkollore nga njëra anë dhe kërkesës së bizneseve nga ana tjetër.
“Një nga mangësitë kryesore të sistemit arsimor është ajo se, diploma që supozohet se duhet të garantojë kualifikime dhe shkathtësi të caktuara, nuk përputhet me praktikën, apo punëtorët nuk posedojnë me të vërtetë shkathtësitë e kërkuara. Andaj duhet të përqendrohemi në cilësi dhe jo në kuantitet. Edhe trendi që e kishim kur investohej në sa më shumë diploma duhet të ndërpritet për shkak se e domosdoshme është dituria dhe jo diplomat”, thonë nga Fajnens Think, raporton KOHA. Nga atje shtojnë se nevojiten masa afatgjate, por edhe intervenuese me qëllim që për tre deri pesë vite të kemi më shumë kuadro që do të plotësojnë nevojat dhe kërkesat e biznesit.
Në ndërkohë, sipas ekspertes Nikica Mojsovska Bllazhevska, nga zyrtarisht 198 mijë të papunë të evidentuar në Agjencinë e Punësimit në muajin gusht, vetëm gjysma e tyre kërkojnë punë, ndërsa një e katërta e të rinjve nuk janë aktiv në tregun e punës. Nëse përmendim edhe ekonominë informale, si dhe migrimet bazuar në përvojat e shteteve të tjera anëtare të BE-së, mund të themi se kemi mungesë të shkathtësive të punës tek fuqia e disponueshme punëtore. “Mungon edhe lidhja midis tregut të punës dhe punëdhënësve, si dhe mungon edhe balanci midis programeve arsimor në raport me shkathtësitë e buta si ato të komunikimit apo produktivitetit personal, si dhe shkathtësitë profesionale. Njëherësh, nga 100 studentë të diplomuar – vetëm 17 punojnë në profesionet e tyre, ndërsa punëdhënësit i vlerësojnë studentët e diplomuar me 6 në shkallën prej 1 deri 10, që është një notë shumë e ulët”, thekson Blazhevska.
KANALET JOFORMALE TË PUNËS
Sipas saj, në shtet po shfrytëzohen kanalet joformale të kërkimit të punës të bazuar në rekomandime, ndërsa punëdhënësit përkundër faktit se nuk janë të kënaqur me kërkesën në tregun e punës, nuk duan të dinë se duhet të inkuadrohen në përpilimin e politikave arsimore. Nga Lidhja e Odave Ekonomike thonë se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar sa vjen e më shumë po shtresohet si problem, ndërsa edhe disbalansi në tregun e punës paraqet një sfidë të madhe për afaristët.
“Është evidente mungesa e inxhinierëve dhe personelit mjekësor, si dhe personave me arsim të mesëm të orientuar profesional. Andaj nevojitet orientimi profesional i nxënësve që nga shkolla fillore, si dhe promovimi më i madh i shkollave të mesme profesionale. Nevojitet edhe një bashkëpunim i përbashkët i të gjithë faktorëve në shoqëri për të adresuar në mënyrë të drejtë edhe nevojat për fuqi të kualifikuar punëtore që si problem – duhet të prek dhe arrijë edhe tek nxënësit dhe prindërit”, thonë nga Lidhja e Odave Ekonomike.
Ndryshe, ulja e popullatës së aftë për punë në kushte të lëvizjeve të pavolitshme demografike dhe të migrimit paraqet rrezik për Maqedoninë e Veriut dhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor rajonit. Andaj nevojitet të ndërmerren më shumë masa për rritje të shkallë së popullatës aktive, zgjatjes së jetës së popullsisë, rritjes së kualifikimit të fuqisë punëtore, si dhe nxitjes së inovacioneve dhe automatizimit thonë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. (koha.mk)