Disa pjesë të Bosnjë e Hercegovinës jugore dhe të Kroacisë, si dhe të Malit të Zi dhe të Kosovës, mbrëmë u përfshinë nga një erë e fortë, që frynte me shpejtësi deri në 100 kilometra në orë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Një person u lëndua në qytetin boshnjak të Mostarit, kur një pemë e çrrënjosur nga era e fortë ra mbi makinën me të cilën udhëtonte. I lënduari është transferuar në Spitalin Universitar të Mostarit dhe është jashtë rrezikut.
Era e fuqishme ka çrrënjosur dhe rrëzuar drunj dhe trungje në më shumë pjesë të Hercegovinës, duke shkaktuar bllokime në rrugë dhe probleme në komunikacion dhe duke i dëmtuar më shumë automjete dhe fasada të objekteve, ndërsa e ka përmbysur edhe një kamion.
Autoritetet lokale të Trebinjës informuan se era e fuqishme pothuajse tërësisht e ka shkatërruar parkun e qytetit në këtë qytet në jug të BeH-së, ndërsa janë rrënuar edhe konstruksionet e çatisë të më shumë shtëpive dhe ndërtesave.
Era e fuqishme ishte shkaku për shpërthimin e disa zjarreve në rajonin kroat të Dalmacisë, në afërsi të Splitit, Makarskës, Solin dhe Zarës.
Vetëm në rajonin e Makarskës u regjistruan katër zjarre, ndërsa sot në mëngjes, rreth orës 5, zjarr shpërtheu edhe në afërsi të Solinit, ku stihia e zjarrit kaploi pyllin e pishave.
Në afërsi të Splitit zjarri shpërtheu mbrëmë rreth orës 23 në vendin Bërda, ku zjarri kaploi barin dhe pyllin me trungje të shkurta. Zjarri u shua gjatë natës, ndërsa gjatë shuarjes më lehtë është lënduar një zjarrfikës.
Zjarre më të vogla kanë shpërthyer edhe tek vendet Nin dhe Vërgorac, në afërsi të Zarës.
]
Në qytetin malazez Tivar era e fuqishme ka rrëzuar një skele të vendosur për rinovimin e një hoteli, por askush nuk është lënduar.
Meteorologët malazezë informojnë se era e fuqishme ka sjellë mot më të ftohtë për pjesët bregdetare të Malit të Zi për këtë periudhë të vitit.
Era e fuqishme ka shkaktuar dëme më të mëdha materiale edhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Era shkaktoi shkëputjen e kabllove të largpërçuesve, me ç’rast disa fshatra të Kosovës janë pa energji elektrike. (koha.mk)