Në shoqatën e blegtorëve thonë se edhe pse këtë vit djathi nuk është blerë nga ana e mërgimtarëve dibran, përsëri plasmani i djathit është bërë pa probleme meqë sipas tyre, për shkak të pandemisë, furnizimi me djathë kryesisht është bërë nga prodhimi vendor dhe jo nga importi sikurse viteve tjera
Vjollca SADIKU
Dibër, 31 tetor – Blegtorët dibran janë të kënaqur nga prodhimtaria e djathit të bardhë, por edhe nga plasmani i tij. Përfaqësues të shoqatës së blegtorëve “Dashi” theksojnë se ka një rritje të prodhimtarisë të djathit që ka të bëjë drejtpërdrejt me të reshurat atmosferike dhe ndikimi i tyre në vegjetacionin të bujshëm në kullosat verore në malet Dibrës. Blegtorët në Dibër dhe Qendër Zhupë thonë se kualiteti i lartë i djathit të bardhë tradicional ka ndikuar edhe në shitjen e shpejtë të djathit, kryesisht në vendin tonë. Kryetari i shoqatës “Dashi”, Skënder Ame, na informoi se prodhimtaria e djathit këtë sezon është rritë për 10 për qind, që do të thotë se janë prodhuar mbi 600 ton djathë. “Bëhet fjalë për prodhimin e djathit të bardhë tradicional për të cilin ka kërkesa të mëdha në vendin tonë”, tregon Ame, ndërsa shton se çmimi i shitjes ka qenë 280-300 denarë për kilogram.
Djathi është shitur tërësisht edhe atë kryesisht në Shkup, Ohër dhe Dibër. Në shoqatën e blegtorëve theksojnë se edhe pse këtë vit djathi nuk është blerë nga ana e mërgimtarëve dibran, të cilët vite me radhë preferojnë që të blejnë djathë në vendlindje, përsëri plasmani i djathit është bërë pa probleme meqë sipas tyre, për shkak të pandemisë, furnizimi me djathë kryesisht është bërë nga prodhimi vendor dhe jo nga importi sikurse viteve tjera. Kryesia e shoqatës në fjalë në takimin e fundit ka vlerësuar se gëzon fakti që ka një rritje të djathit tradicional dibran, por njëkohësisht është shprehur edhe një kënaqësi nga çmimi i shitjes.
Një ndikim pozitiv në shitjen e djathit tradicional të bardhë ka edhe brendimi i këtij djathi për tregun vendas. Shoqata “Dashi” që grumbullon blegtorët të komunave Dibër dhe Qendër Zhupë, ka informuar se numri i familjeve blegtore tashmë ka kaluar mbi 120. Pritet që ky numër të rritet, por një pengesë shihet tek sigurimi i punëtorëve plotësues në këtë sektor. “Kemi probleme me sigurimin e punëtorëve siç janë barinjtë dhe mjeshtrit e përgatitjes së djathit tradicional. Problemi është prezent vite me radhë dhe si i tillë pengon rritjen e prodhimtarisë”, thotë Skënder Ame, njëherësh një nga prodhuesit më të mëdhenj të djathit të bardh tradicional. Vendosja e panelave diellore në bjeshkët dhe objektet ku prodhohet djathi, thotë ai, kanë ndikuar po ashtu pozitivisht në rritjen e prodhimtarisë së djathit, por edhe më tej kemi probleme me infrastrukturën rrugore deri tek objektet verore për prodhimin e djathit në kullosat malore. (koha.mk)