Një karrierë e ndërtuar në Francë, debutimi me Marseillen më 2005-ën, pas disa përvojash në huazim me skuadra të nivelit të dytë, erdhi mundësia e madhe tek Udiense. Mehdi Benatia nga ai çast nisi të ngjiste shkallët dhe nga bardhezinjtë kaloi tek Roma, më tej te Bayern Munich e së fundmi Juventus. Disa trofe të fituar në Bundesligë dhe Serinë A, por në moshën 31-vjeçare vendosi të largohej nga vitrina më e madhe e futbollit, Europa për t’u transferuar në Katar tek Al Duhail. Mendimi i parë që të vjen në mendje është se e ka bërë për “malin me para” që ofrojnë klubet e sheikëve, por arsyeja është tjetër dhe është vetë marokeni ai që shpjegon se përse zgjodhi Al Duhailin.
“Negociatat kërkuan shumë kohë, kam luajtur në klube të mëdha si Roma, Bayern e Juve, kam fituar shumë por tani objektivi im është tjetër. Mendoj se të gjithë duhet të respektojnë zgjedhjen time sepse ishte më e drejta për familjen time. Dua që fëmijët e mi të rriten në një ambient ku mbizotëron feja islame.”
Mbrojtësi nuk mund ta harrojë kaq shpejt Juventusin dhe ka një urim për yllin e skuadrës Ronaldo dhe ish klubin e tij.
“Ju e dini se në Torino kam lënë shumë miq, Ronaldo kishte ditlindjen dhe dua ta uroj, gjithashtu i them se mund të luajë pa problem deri 40- vjeç dhe diçka të fundit e dua Juven në finalen e Championsit.”
Mehdi Benatia është lindur dhe rritur në Francë, pasi u aktivizua me përfaqësueset e moshave të Francës zgjodhi kombëtaren e Marokut ku ka koleksionuar deri më tani 55 ndeshje.