Shkup, 20 mars – Përfaqësueses së Maqedonisë e cila po përgatitet në qendrën Belek të Antalias, i janë bashkangjitur edhe tre futbollist, Stefan Ristovski (Sporting Lisbon), Ezgjan Alioski (Lids) dhe Stole Dimitrievski (Taragona). Ndërkaq, seleksionuesi Igor Angellovski me formacion të kompletuar i ka filluar përgatitjet për dy ndeshjet e parapara miqësore. Ndryshe, mbrojtësi Ristovski pasi iu bashka grupit, për faqen e FFM-së tha se në ndeshjet kontrolluese fitojnë pasqyrë për atë se çka i pret pas disa muajve dhe fillimin e ndeshjeve të rëndësishme të Ligës së Kombeve.
“E kemi të qartë se nga ne pritet që të jemi në formën e vërtetë para ndeshjeve të Ligës së Kombeve, por në këto ndeshje kontrolluese fitojmë pasqyrë për atë se çka na pret në të ardhmen. Mendoj se është e rëndësishme ta forcojmë karakterin e ekipit në këto përballje dhe të vazhdojmë të punojmë. Atmosfera në mesin tonë është e shkëlqyer, gjithmonë na vjen mirë kur kthehemi në fanellën e përfaqësueses dhe këto dhjetë ditë do ti shfrytëzojmë për komunikim dhe afrim më të madh. Gjithsesi, shpresoj se do të jemi në nivel edhe në ndeshjet kundër Finlandës fillimisht dhe më pas Azerbajxhanit”, deklaroi Ristovski.
Në anën tjetër, Marjan Radeski dhe Visar Musliu janë futbollistët e vetëm nga radhët e KF Shkëndija, pasi paraprakisht për shkak të lëndimit Ferhan Hasani nuk mundej ti përgjigjet ftesës së seleksionuesit Angellovski. “Besojmë se fillimisht mund të përgatitemi mirë dhe pastaj të ofrojmë paraqitje të mira në dy ndeshjet e ardhshme miqësore. Atmosfera në përfaqësuese është shumë e mirë dhe kjo premton një paraqitje të re kualitative nga ana jonë. Të gjithë e dimë rezultatet nga këto dy ndeshje janë të rëndësishme dhe për këtë arsye ne dëshirojmë fitore në të dyja përballjet”, deklaroi Musliu.
Ndërkohë, ndeshjen kundër Finlandës, Maqedonia do ta zhvillojë më 23 mars në ora 17.00.