Nga Shkëlzen HALIMI
Jo një herë është dëshmuar se filmat me të suksesshëm në historinë e këtij arti kanë qenë filmat që realizuar mbi bazën e ngjarjeve të vërteta. Filmi, si vepër artistike, ka fuqi të jashtëzakonshme, sa që me të drejtë thuhet se filmi është industri në vete. Por, gjithashtu jo një herë është dëshmuar se filmi, për qëllime të caktuara, është keqpërdorur, në veçanti kur intenca ka qenë që të paraqitet një e vërtetë e një regjimi të caktuar.
Diçka e tillë, fatkeqësisht, edhe me mjete të shqiptarëve (nga Buxheti i Maqedonisë), është bërë në Maqedoni, me filmin “Kur dita nuk ishte emër”, në regji të Teona Mitevska, film ky që për motiv pati vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smilkovës, të cilën ish Qeveria e kodoi si rasti “Monstra”. Ky film që u xhirua pothuaj në heshtje, pati shumë pjesëmarrje në festivale të ndryshme anekënd botës. Pavarësisht se shumica e shqiptarëve nuk e kanë parë këtë film, realisht mund të marrin me mend se për çfarë bëhet fjalë. Kjo është njëra anë e medaljes.
Në ndërkohë, protagonistët e rastit “Monstra”, të cilët qenë dënuar me burg të përjetshëm, tani mbrohen në liri. Të gjithë ata që i dëgjuan rrëfimet e tyre, për atë se çfarë kishin përjetuar gjatë trajtimit çnjerëzor, me siguri se kanë qenë të prekur tejmase.
Rrëfimet e tyre janë një lëndë e mjaftueshme për ta treguar anën tjetër të medaljes, por edhe për ta bërë një film real dhe për t’i treguar botës se deri ku shkojnë mostrat politike, që akoma nuk i kanë shfryer sa duhet epshet e tyre të urrejtjes ndaj qenies shqiptare.
Nëse shteti në mënyrë indirekte, përmes filmit “Kur dita nuk kishte emër”, tentoi ta paraqesë të vërtetë e saj ndaj shqiptarëve, atëherë perse ne, shqiptarët, të mos e paraqesim të vërtetën jo ndaj shtetit, por ndaj mostrave që ishin në krye të këtij shteti, që (edhe përmes një filmi të turpshëm) u munda ta fshehë “diellin me shoshë”. Shoqëria shqiptare në Maqedoni, i pëlqeu dikujt apo jo, tani është e obliguar që botës t’ia tregojë të vërtetën e këtij rasti.
Lënda e filmit është e mjaftueshme, kemi skenaristë, aktorë e regjisorë dhe nuk duhet të presim asfare lëmoshe nga Fondi i Filmit apo ndonjë kooproduksion tjetër, sepse ne kemi një komunitet të madhe të biznesmenëve, të cilët janë në gjendje të ndajnë mjete të mjaftueshme për bërjen e një filmi në dedikim të atyre që përjetuan golgotë të vërtetë në burgjet maqedonase.
Nëse disa nga biznesmenët shqiptarë kanë mundësi të ndajnë mjete për këngëtarë serb e maqedonas, apo për ngjarje të ndryshme kulturore, ku nuk janë të përfshirë shqiptarët, atëherë shpresojmë se kjo ngjarje do t’i motivonte që pa hezituar të ndajnë mjete për realizimin e një projekti me taban kombëtar.
Sepse ditës që nuk kishte emër, si shoqëri shqiptare, e kemi për borxh t’i lëmë emrin e vërtetë që i takon… (koha.mk)