“Është një dukuri e cila nga viti në vit shënon rritje”, thotë Areta Pekmezi, sipas të cilës, në Gjykatën Themelore të Dibrës vetëm këtë vit janë regjistruar 43 divorce, ose 17 më shumë se sa vjet. Është interesante se pjesa më e madhe që kërkojnë divorce janë femrat
Vjollca SADIKU
Dibër, 24 dhjetor – Në Komunën e Dibrës, e cila karakterizohet me migrimet masive të popullatës, është në rritje numri i divorceve. Gjatë këtij viti, të dhënat zyrtare tregojnë se numri i divorceve është dyfishuar në krahasim me një vit më parë. Në Gjykatën Themelore të Dibrës informojnë se ka një rritje të madhe të divorceve gjatë këtij viti. Udhëheqësja e sektorit civil pranë kësaj Gjykate, Areta Pekmezi, na informoi se këtë vit janë regjistruar gjithsej 43 divorce. Në krahasim me vitin 2018, kur numri i divorceve ishte 26, këtë vit faktikisht kemi dyfishim të divorceve, tregon ajo. Është një dukuri e cila nga viti në vit shënon rritje, thotë bashkëbiseduesja jonë e cila sqaron se në Gjykatën Themelore të Dibrës, shpesh arrijnë kërkesat për divorce. Sipas saj, është interesant për të thekuar se pjesa më e madhe që kërkojnë divorce janë femrat, shkruan gazeta KOHA.
Të dhënat flasin se si shkaqe kryesore të kësaj dukurie shoqërore janë migrimi i popullatës, varfëria, por edhe pavarësia ekonomike e gjinisë femërore. Përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale në Dibër thonë se në këtë institucion funksionon njësia për tejkalimin e problemeve që kanë bashkëshortët në disa faza të jetës. Burimet të këtij institucioni shtojnë se migrimi masiv i popullatës, sidomos i meshkujve, është një ndër shkaqet kryesore për divorce. Ndodh që pas shkuarjes në kurbet, por jo së bashku me familjen, meshkujt për interesa të ndryshme – gjejnë partnere tjera në vendet të jashtme ku punojnë. Në këtë drejtim qëndron fakti se për çdo vit ka divorce mes këtyre çifteve, të cilët jetojnë të ndarë për shkak të kurbetit.
Jeta e ndarë ka çmimin e vet. Po ashtu, mes partnerëve që kërkojnë divorc ka edhe të tillë që jetojnë në familje të varfra. Varfëria sjell probleme, të cilët nuk mund ti tejkalojnë bashkëshortët dhe ashtu partnerët përfundojnë në ndarje. Kohëve të fundit paraqitet edhe dukuria e ndarjeve mes një pjese të intelektualëve. Kjo komentohet si dukuri që ka të bëjë me pavarësinë ekonomike të gruas dhe normalisht, bashkëshortësia jostabile mes tyre. Kur jemi tek divorcet në Dibër, duhet theksuar se nëse hulumtohen rastet e ndryshme të divorceve, ka edhe të tillë të cilët janë martesa fiktive. Në institucionet e lartpërmendura thonë se ka patur raste kur gjatë ndarjes është verifikuar fakti që bashkëshortja i jep të drejtën bashkëshortit që jeton jashtë shtetit të bëj kurorëzim me shtetase evropian me qëllim që të përfitoj dokumente në shtetin ku punon. Këto raste vitet e fundit janë të shpeshta, megjithëse dhe pas martesës bashkëshortët vazhdojnë komunikimin me bashkëshorten që jeton në Dibër. (koha.mk)