Duke pasur parasysh situatën politike në Bullgari dhe mos arritjen e formimit të Qeverisë, ky vit – për Maqedoninë e Veriut thuajse është i humbur për negociatat me BE-në, ndërsa situata e tillë mund t’i shkojë në favor euroskepticizmit
Xhenur ISENI
Shkup, 30 prill – Para dhjetorit, Maqedonia e Veriut nuk do të mund t’i fillojë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian, ndërsa mbetet e paqartë nëse do t’i fillojë edhe atëherë për shkak të situatës politike në Bullgari dhe mundësia edhe pas zgjedhjeve parlamentare që ndoshta do të mbahen në korrik, të mos formohet shumicë për Qeverinë e re bullgare. Ky është mendimi i ekspertëve edhe pas takimeve me presidentin Stevo Pendarovski me përfaqësuesit e lartë evropian në Bruksel para dy ditëve, në të cilën porositi se vendi është i përgatitur menjëherë të ulet në tryezën e negociatave me Bullgarinë që të tejkalohet kontesti bilateral dhe të hapet rruga drejt BE-së. Por duke pasur parasysh situatën politike në Bullgari dhe mos arritja e formimit të Qeverisë, ky vit thuajse është i humbur për negociatat me BE-në, ndërsa situata e tillë mund t’i shkon në favor euroskepticizmit.
EDHE PAS DY TENTIMEVE, NUK FORMOHET QEVERIA E RE
Rezultojnë me dështim për herë të dytë përpjekjet për formimin e kabinetit qeveritar në Bullgari pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 4 prill. Antoaneta Stefanova, kampionia e shahut, të cilën shoumeni Slavi Trifonov me grupin e dytë më të madh – 51 anëtarë në parlamentin me 240 vende, ka rikthyer menjëherë mandatin e marrë nga presidenti Rumen Radev për formimin e qeverisë. “Si parti INT nuk kemi për qëllim të përfshihemi në koalicione pa principe”, ka theksuar në ceremoni Stefanova. Trifunov, në një deklaratë dje në median sociale, bëri të ditur se partia e tij nuk ka mundur të marrë mbështetje pa kushte nga grupet e tjera në parlament dhe se përpjekja për formimin e një qeverie të mundshme në këtë mjedis do të jetë “vetëvrasje politike”. Përpara ITN-së në përpjekjet për të formuar qeverinë kanë dështuar edhe ato të Partisë Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB) e kryesuar nga ish-kryeministri Bojko Borisov, që është grupi më i madh me 75 mandate në parlament.
Sipas kushtetutës bullgare, presidenti Radev pas dështimit në formimin e qeverisë nga dy partitë më të mëdha duhet t‘ia japë këtë detyrë njërit prej 4 grupeve të tjera që përfaqësohen në parlament. Radev kishte njoftuar se ai dëshironte t‘i jepte parlamentit kohë për të kryer ndryshimet e nevojshme në rrugën për demokratizim në ligjin zgjedhor. Nëse edhe përpjekja e tretë për formimin e qeverisë dështon, presidenti Radev duhet të shpërndajë parlamentin, të caktojë një datë për zgjedhjet e parakohshme dhe të formojë një qeveri të përkohshme teknokratësh.
PANÇEV: RMV TË PRES PËR FILLIMIN E NEGOCIATAVE
Zgjedhjet e parakohshme ndoshta janë të paevitueshme. Të dyja partitë më të mëdha nga numri i deputetëve – GERB dhe “Ka një popull të tillë” ia kthyen presidentit mandatet, sepse nuk kishin mundësi të krijonin qeveri. Faktikisht, “Ka një popull të tillë” kishte mundësi të merrte mbështetje nga Partia Socialiste dhe nga dy parti më të vogla, por refuzuan, sepse nuk dëshirojnë të bëjnë koalicione madje edhe joformale me partitë e vjetra. Ka mundësi për vetëm një mandatim tjetër. Kësaj here varet nga presidenti, sepse në herën e tretë i e zgjedh partinë që do të marrë mandat, thotë politologu bullgar, Anton Pançev.
Ai shprehet se në këto rrethana ka shumë pak gjasa për sukses dhe sipas tij zgjedhjet e parakohshme do të zhvillohen në mes të korrikut. “Nuk besoj se do të ketë ndryshime të mëdha. Pas dështimit të mandatit të tretë presidenti do të emërojë qeveri të përkohshme për organizimin e zgjedhjeve. Kjo qeveri do të qeverisë deri shtator ndoshta dhe nuk mund të marrë vendime të rëndësishme. Pra, nuk mund të zhbllokojë Maqedoninë e Veriut. Por edhe presidenti Radev do të emërojë kryeministër i cili do të mbështesë politikën e deritanishme bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Partitë bullgare do të jenë shumë të kujdesshme dhe nuk do ndryshojnë qëndrimet e tyre që të mos humbin votues. Pra, deri shtator/tetor (nëse zgjidhet qeveri atëherë) me siguri Bullgaria nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj kundrejt Maqedonisë së Veriut. Pastaj në nëntor i kemi zgjedhjet për president dhe sërish nuk mund të ketë ndryshime në fushatën parazgjedhore. Fatkeqësisht qeveritarët e Maqedonisë së Veriut e humbën mundësinë e vet në vjeshtë. Tani nuk do të ketë ndryshime në qëndrimin e Sofjes”, ka deklaruar për KOHA, politologu bullgar, Anton Pançev.
Të bisedojmë për gjithë çështjet e hapura, kuptohet, me ato vija të kuqe për të cilat nuk presim që përsëri të jenë në tryezën negociuese, tha Presidenti Stevo Pendarovski gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ai potencoi se parakusht që përsëri të fillojnë bisedimet me Bullgarinë është të identifikohet bashkëbiseduesi nga pala bullgare, gjegjësisht të formohet qeveri politike, sepse qeveria teknike që pritet të formohet “nuk do të ketë legjitimitet të qartë të hynë në këto çështje”. Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, deputeti bullgar Ilhan Kyqyk, thotë se është i vetëdijshëm që nëse prolongohen përsëri fillimi i bisedimeve do të ketë pasoja dekurajuese ndaj opinionit, por sipas tij “ardhmëria është argument legjitim, por edhe për të kaluarën duhet të ketë mirëkuptim në të dyja shtetet”. Ai në një deklaratë për media e ka vlerësuar Presidentin Pendarovski si një person që mundet të vendoset si garancë për konstruktivitetin në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë. “Nuk ka mbetur kohë deri në fund të presidencës portugeze dhe ne duhet të jemi të përgatitur për atë skenar. Nuk më duket realiste që Bullgaria të pranojë diçka tani. Duhet të punohet në atë për të zgjidhur problemin bilateral, me uljen e retorikës nacionaliste nga të dyja palët”, deklaroi Kyqyk.
IDEJA PËR BALLKAN EVROPIAN DO TË ZBEHET
Presidenti Stevo Pendarovski para dy ditëve gjatë vizitës në selinë e BE-së, në Bruksel, u takua me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Zhozep Borel. Njëherit është takuar edhe me Komisarin për politikë fqinjësore dhe negociata për zgjerim të Unionit, Oliver Varheji dhe me përfaqësuesin special të BE-së për dialog Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale në Ballkan Perëndimor, Mirosllav Llajçak. “Së pari prisnim metodologjinë e re, ajo u miratua, më pas dolën disa probleme tjera, ndërsa dy shtete nga gjashtë nuk përmenden fare si shtete që kanë mundësi që së shpejti t’i fillojnë negociatat për arsye të njohura. BE dëshiron këtë ta ndryshoj dhe sipas mundësisë deri në fund të vitit, mundemi vetëm të përshëndesim përpjekjet e tyre për shkak se është e qartë se Ballkani Perëndimor një kohë të gjatë është në këtë tranzicion ndaj BE pa disa hapa të qarta në atë rrugë”, theksoi Presidenti, Stevo Pendarovski.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov tha se nëse edhe këtë vit nuk ka progres në drejtim të zgjerimit të BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor, ideja për Ballkan evropian do të zbehet. “Pas nesh ishte Kroacia, e cila këtë vit shënon tetë vjet anëtarësim ndërsa ne nuk kemi filluar procesin e anëtarësimit. Me të gjitha të metat dhe papërsosmëritë tona, ne po shkojmë përpara, siç tregoi dje raporti i Freedom House. Kemi zgjidhur një problem që është vështirë të zgjidhet dhe nëse këtë nuk e njeh BE, madje edhe fqinjët tanë, atëherë e gjithë e ardhmja evropiane në Ballkan do të zbehet. Ne do të jemi gjithnjë e më pak në gjendje të bindim qytetarët se kjo është reale dhe e realizueshme dhe se duhet t’u besojmë fjalëve, deklaratave, vendimeve të vendeve anëtare”, tha Dimitrov. (koha.mk)