Urim HASIPI
Tetovë, 17 nëntor – Gati se tre ditë me radhë në disa pjesë të qytetit të Tetovës mungon uji i pijshëm. Referuar në informatën e NPK-së të publikuar në rrjetet sociale, qëndron se ka defekte në rrugën Kongresi i Manastirit dhe Sami Frashëri, shkruan gazeta KOHA. Në ndërkohë, pas një kohe të gjatë para mediave ka folur edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila është pyetur për mungesën e ujit dhe për kualitetin e ujit në qytetin e Tetovës, ku uji mban erë të pazakontë. Arifi me këtë rast është thirrur në raportet e Qendrës për shëndet publik, sipas të cilit uji është i pijshëm dhe përgjegjësia për këtë çështje bie mbi këtë institucion.
“Nëse flasim për Institutin për shëndet publik, unë mendoj se deri më tani të gjitha rezultatet që i ka dhënë, kanë qenë pozitive dhe të njëjtat rezultate që janë dërguar deri te Enti për shëndet publik në Shkup, po ashtu kanë ardhur si pozitive, prandaj i vetmi institucion që mund të jap indikacione për këtë çështje, është vetëm Instituti për shëndet publik. Derisa ai jep të dhëna se rezultatet janë si duhet, atëherë ne si të tillë e përdorim, andaj edhe përgjegjësia është mbi këtë institut. Mendoj se nuk ka indikacione ashtu siç thoni ju dhe kualiteti i ujit është mjaft i mirë”, tha Arifi. Lidhur me mungesën e ujit dhe rekomandimeve për t’u bërë analiza më të mira në rrjetin e ujësjellësit, sipas Arifit, lejen e ka dhënë vetë Instituti për shëndet publik.
“Mund të ketë probleme kohë pas kohe ndonjëherë, sepse duhet të kemi parasysh faktin se ujësjellësi dhe stacioni i filtrimit është një novitet për Ndërmarrjen tonë dhe herë pas herë vazhdon të kryhen testimet, përndryshe kemi sasi të mjaftueshme nga të dy sistemet e ujësjellësit. Ne vazhdojmë me inspektimin, por ajo që mund të them është se ne e kemi lejen për ta përdorur ujin për pije në Tetovë”, tha Arifi. Gati se një muaj uji i pijshëm në Tetovë ka shije dhe erë tjetër nga ai që ishin mësuar qytetarët më herët të konsumonin. Së këndejmi, kjo ka bërë që qytetarët të kenë frikë për të konsumuar ujin që rrjedh në çezmat e tetovarëve. Ata druajnë se uji me shije dhe erë tjetër të pakëndshme, mund edhe të jetë i përhershëm. Përgjegjësit e arsyetojnë panikën dhe shqetësimin e banorëve të Tetovës, që ka të bëjë me ujin e pijshëm. Sipas mjekëve, në Qendrën për shëndet publik në Tetovë, edhe analizat shtesë të bëra tregojnë se uji është i sigurt për pije.
“Nëse kemi informata se uji është i sigurt dhe nuk ka erë dhe shije të mirë, atëherë mundet edhe të mos e konsumoni dhe të shfrytëzoni ujë të ambalazhuar, por ka edhe të atillë që nuk e ndjejnë ndryshimin e shijes dhe e konsumojnë”, thotë Ratko Davidovski, mjek.
Tetovarët furnizohen me dekada të tëra me ujë nga Mali Sharr, i cili edhe pse nuk ka qenë i mjaftueshëm për nevojat e tetovarëve, megjithatë ka qenë i pastër. Para një muaji kur u lëshua në përdorim ujësjellësi i ri, i cili me ujë furnizohet nga Lumi Shkumbin dhe Leshnicë, me ç`rast qyteti ka edhe 200 litra ujë shtesë, megjithatë pas normalizimit të gjendjes me ujin, tashmë tetovarët përballen me këtë dukuri. (koha.mk)