Shkup, 25 tetor – Nga ana tjetër, eksponentë të lartë të LSDM-së, së fundmi edhe nënkryetarja Radmilla Sheqerinska i ofroi përkrahje kandidates së BDI-së për Tetovën, Teuta Arifit, shkruan gazeta KOHA. “Arifi ka qenë njëra nga politikanet, vendimi i së cilës pas zgjedhjeve parlamentare, ka mundësuar ndryshimet në shtet për koncept për paqe, prosperitet dhe shanse për të rinjtë që jetën e tyre ta kalojnë në Maqedoni”, theksoi Sheqerinska. Ndërsa Teuta Arifi tha se ndryshimi i vërtetë ndodhi më 15 tetor, kur doli me mbi 5000 vota kundër rivalit të saj nga Lëvizja BESA, Bilall Kasami. “Prioritet për katër vitet e ardhshme do të jetë ndërtimi i kapaciteteve për trajtim të ujërave të zeza për çka Tetova – së bashku me Strumicën dhe Manastirin do të fitojnë mjete të IPA fondeve, do të hapim disa bulevarde në qytet dhe shumë projekte tjera”, theksoi Arifi. Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev për sot (e enjte) ka paralajmëruar se do ta vizitojë Strugën për ti dhënë mbështetje kandidatit të BDI-së në këtë komunë, Ramiz Merko. Ndërkaq, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti të mërkurën ka qëndruar në Dollnen dhe në fshatrat Kamjan dhe Pallçishtë të Komunës së Bogovinës për të mbështetur kandidatin e partisë së tij për kryetar komune. BDI e Ahmetit, Dega në Çair, përmes një kumtese ndërkohë për media akuzoi kandidatin e Lëvizjes BESA për Komunën e Çairit, Zeqirja Ibrahimi, se i ka ofruar postin e nënkryetarit të Komunës një kuadri të VMRO-së. “Lëvizja BESA dhe kandidati i saj për kryetar komune në Çair, Zeqirja Ibrahimi, me secilën parti politike që ulet dhe bisedon, ua ofron postin e zëvendëskryetarit të Komunës së Çairit. Abija Zeqë në mospasjen e rrugëdaljes tjetër, i ka premtuar VMRO-së postin e zëvendëskryetarit të Komunës, nëse anëtarët e partisë opozitare maqedonase në Çair votojnë për Ibrahimin. Ai gjithashtu në këmbim të votave, VMRO-DPMNE-së i ka ofruar postin e drejtorëve në dy shkolla fillore dhe në dy çerdhe, të cilët gravitojnë në territorin e Komunës së Çairit”, thuhet kështu në kumtesën e Degës së BDI-së në Çair. (koha.mk)