Qeveria e Spanjës i dha edhe tri ditë të tjera kohë Presidentit të Katalonjës, Puigdemont për të thënë nëse Katalonja ka shpallur pavarësinë. Puigdemont ka kërkuar bisedime direkte me kryeministrin e Spanjës, Rajoy. Zëvendëskryeministrja e Spanjës, Soraya Saenz de Santamaria e hodhi poshtë të hënën kërkesën e Presidentit të Katalonjës, Carles Puigdemont për bisedime të drejtpërdrejta. Ajo i dha një afat tjetër të fundit deri të enjten, për të sqaruar çështjen e pavarësisë. Saenz de Santamaria u tha përfaqësuesve të medieve në Madrid se qeveria qendrore pati kërkuar deri në orën 10 të së hënës thjesht një “po” ose “jo” nga Puigdemont-i, për faktin nëse Katalonja e kishte deklaruar shkëputjen nga Spanja. Por ai nuk e dha një përgjigje të tillë. “Nuk ishte shumë e vështirë që të thuash “po” ose “jo””, tha Saenz de Santamaria. “Nuk është e vështirë që të kthehesh në arsye në këto tri ditë të tjera”.