Programi për Përkrahje financiare të Zhvillimit Rural, duhet të jetë gjithëpërfshirës, mirëpo kjo nuk mund të bëhet nëse në ndryshimet e ardhshme kushtetuese nuk përfshihen saktësisht edhe fshatrat shqiptare, të cilët aktualisht janë rekrutuesit më të mëdhenj të fuqisë punëtore, por edhe kandidatët më potencialë për t’u bërë kurbetçinj të ardhshëm
Nga Emin AZEMI
Partitë politike, ngjashëm si disa shkencëtarë të mjekësisë, vazhdojnë ta trajtojnë zhvillimin rural si “zorrë qorre”. Disa shkencëtarë besojnë që dinë përse shërben zorra qorre, ndërkaq disa të tjerë mendojnë që ajo nuk ka kurrfarë funksioni.
Në Programin për Përkrahje financiare të Zhvillimit Rural në vitin 2018, ofrohen më shumë investime në tri masa kryesore, siç janë: “Përmirësimi i cilësisë së jetesës në vendbanimet rurale”, “Rindërtimi dhe zhvillimi i fshatrave”, si dhe “Ruajtja dhe avancimi i vlerave tradicionale në viset rurale”. Të gjithë këto masa janë të dedikuara për investime të ndryshme kapitale në infrastrukturën rurale, kurse vitin e kaluar mjetet për përmirësimin e rrugëve deri tek fushat, gjegjësisht tokat pjellore, i shfrytëzuan komunat Kratovë, Vevçan, Pllasnicë, Bosillovë, Zrnovci, Koçanë, Debarcë , Gradsko,Vasillevë dhe Gradsko.
Përmirësimi i cilësisë së jetesës në vendbanimet rurale, do të ishte parakushti themelor që njerëzit të mos i braktisin vendlindjet, kurse Programi për Përkrahje financiare të Zhvillimit Rural, është menduar të jetë terapia më adekuate që këto vendbanime të fillojnë të mendojnë për gjetjen e resurseve që do t”iu sigurojnë mirëqenie dhe prosperitet.
Shqiptarët në Maqedoni në një përqindje të madhe jetojnë nëpër fshatra, por jo në Kratovë, Vevçan, Pllasnicë, Bosillovë, Zrnovci, Koçanë, Debarcë, Gradsko,Vasillevë dhe Gradsko. Financat shtetërore në vitin 2018 kanë shkuar atje ku shqipja trajtohet ende si gjuhë e dorës së dytë, e cila jo patjetër duhet të ketë status të barabartë zyrtar.
Në Pollog, Likovë, Haraçinë, Radushë, pastaj në fshatrat shqiptare të Pellagonisë etj. ende nuk ka mbërri Programi për Përkrahje financiare të Zhvillimit Rural. Por, sa interesant, ka mbërri në Vevçan. A ka nevojë ta dimë se pse?
Ata që nuk e dinë se pse rindërtimi dhe zhvillimi i fshatrave ka vetëm adresë maqedone, do të duhej ta shfletojnë Kushtetutën aktuale dhe të gjejnë zbrazëtira, të cilat duhet plotësuar me amendamente që projektojnë zhvillim të barabartë të rajoneve, ku financat shtetërore nuk do të shkonin vetëm në Kratovë, Vevçan, Pllasnicë, Bosillovë, Zrnovci, Koçanë, Debarcë, Gradsko,Vasillevë dhe Gradsko, por edhe në Zhelinë, Haraçinë, Bogovinë, Osllome, Dollogozhdë, Dibër, Likovë, Çegran, Llopat, Saraj etj.
Shteti i së ardhmes, që nesër do të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së nuk guxon të shkelë me opinga të baltosura nga fshatrat e vetmuara maqedonase, ku vetëm pleqtë e lënë pasdore bëhen sikur po e ndihmojnë zhvillimin rural, ndërkohë që të rinjtë shqiptarë në Maqedoninë Perëndimore dhe Veriperëndimore as që kanë dëgjuar për “Ruajtjen dhe avancimin e vlerave tradicionale në viset rurale”. Në Maqedoninë Lindore pleqtë i ruajnë fshatrat e braktisur nga bijtë e tyre drejtorë e nëpunës në Shkup, ndërkohë që në Maqedoninë Perëndimore, shumica e të rinjve shqiptarë jetojnë me solidaritetin financiarë të xhaxhallarëve e dajallarëve në kurbet.
Programi për Përkrahje financiare të Zhvillimit Rural, duhet të jetë gjithëpërfshirës, mirëpo kjo nuk mund të bëhet nëse në ndryshimet e ardhshme kushtetuese nuk përfshihen saktësisht edhe fshatrat shqiptare, të cilët aktualisht janë rekrutuesit më të mëdhenj të fuqisë punëtore, por edhe kandidatët më potencialë për t’u bërë kurbetçinj të ardhshëm, nëse Kushtetuta e re nuk krijon parakushte për në zhvillim proporcional të rajoneve. (koha.mk)