Për shuarjen e SIMO-s votoi deputeti dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa mbështetje mori edhe nga deputetët e VMRO-DPMNE-së
Zejnulla VESELI
Shkup, 27 mars – Me dy të tretat e votave, deputetët e Parlamentit të Maqedonisë votuan Ligjin për formimin e Ministrisë për Sistem Politik dhe marrëdhënie midis bashkësive dhe propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Me miratimin e Ligjit për formimin e Ministrisë së re, edhe zyrtarisht shuhet Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (SIMO). Për shuarjen e SIMO-s votoi deputeti dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa mbështetje mori edhe nga deputetët e VMRO-DPMNE- së. Gjithashtu në seancën e 94 plenare që përfundoi të mërkurën, dritë jeshile në leximin e dytë deputetët dhanë edhe për pesë ligje që mbajnë flamurin evropian në mesin e te cilëve ishin dhe propozim-ligji për Regjistrin qendror të popullsisë dhe propozim-ligjin për mbrojtje sociale, si dhe u miratuan dhe ligjet e propozuara nga deputetët të partive të shumicës parlamentare. Ndërkohë, deputetët e miratuan vendimin për dhënien e statutit “Universiteti Nënë Tereza” në Shkup dhe Statutin “Universiteti Shën Klimenti i Ohrit”, në Manastir, Ligjin për shërbime, për përmbarim të sanksioneve, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për borxhin publik, Ligjin për regjistrim të parave kesh.
Paraprakisht, para se kryetari i Parlamenti, Talat Xhaferi t’i hedh në votim ligjet, fjalë kërkoi deputetja e VMRO-DPMNE- së, Liljana Zaturovska e cila kërkoi nga kryetari i Parlamentit të mos miratohen Ligjet me procedurë të shkurtë e të cilat fshihen pas flamurit evropian. “Me muaj bëjnë përpjeke që ta parandalojmë praktikën e keqe të LSDM-së, e cila prej se është në pushtet, miraton ligje me procedurë të shkurtër, për të cilat aspak nuk duhet të fshihet pas flamurit evropian. A do të thotë kjo se nuk keni autoritet të mjaftueshëm që t’ju kundërvihemi këtyre vendimeve ligjore që mbajnë flamurin evropian”, pyeti deputetja Zaturovska. I menjëhershëm ishte reagimi i kryeparlamentarit Xhaferi, i cili u shpreh se vendosja e ligjeve nuk varet nga vetë ai, por as nga autoriteti i tij. “Kam autoritet të plotë të udhëheqë me punën e Parlamentit. Procedurat janë të përcaktuara në Rregulloren. Kërkesat e deputetëve dhe institucionet janë kompetent të propozojnë ligje, ndërsa unë kam detyrim të njëjtat t’i hedh në shqyrtim para deputetëve. Për këtë nuk vendos unë, por shumica e deputeteve në Parlament”, u përgjigj Xhaferi. Ndërkohë sa i përket vendosjes në rend dite të 11 ligjeve, të cilët nga muaji janar i këtij viti u miratuan nga shumica e deputetëve, e të cilat ende nuk janë nënshkruar nga presidenti aktual i shtetit Gjorgje Ivanov, në leximin e tretë do të shqyrtohen nga deputetët në seancën e 95 e cila u mbajt në orën e vonshme të pasdites së mërkurë. Në rend dite ishin Ligji për Agjencinë Tekniko Operative (ATO) dhe Ligji për Agjencinë për ndjekjen e komunikimeve. Po ashtu, deputetët në lexim të tretë e shqyrtuan Ligjin për mbrojtje dhe parandalim nga diskriminimi, Ligjin për Kryqin e Kuq, Ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë dhe Ligjin për dokumente elektronike. (koha.mk)