1 mijë euro e 417 euro u shpenzuan në pije për zyrën e ish-zëvendëskryeministres Edita Tahiri në vitin 2012 vetëm për një muaj. Ndër to, në faturën e muajit janar figurojnë 1 mijë e 384 porosi për makiato, specifikisht 625 prej tyre makiato të vogla dhe 759 makiato të mëdha. Nga llogaritja e thjeshtë, i bie që për një ditë të jenë porositur rreth 40 makiato.
Restauranti ‘Amadeus’, i kontraktuar për të ofruar shërbime të pijeve për zyrën e Zv/Kryeministres, ka dërguar një faturë mujore të datave 01.01.2012 deri më 31.01.2012 që në total kap shumën 1 mijë e 917 euro. Në këtë faturë me numër 10700/3819 janë të përfshirë shpenzimet për anëtarët e kabinetit të Tahirit.
KALLXO.com ka llogaritur shpenzimet specifike për zyrën e Tahirit që paraqet pjesën më të madhe të faturës së përgjithshme, saktësisht 1 mijë e 417 euro. Ndër pijet që ishin porositur për zyrën e Tahirit në muajin janar hyjnë edhe lloje të tjera të kafeve, pije të gazuara, lëngje frutash dhe ujë.
Në anën tjetër, shpenzimet për zyrat e pesë anëtarëve tjerë të kabinetit, nuk kalojnë shifrën 99 euro për secilin.