Nuk mund të vihen në jetë dëshirat e mira për edukim bashkëkohor, me struktura të papërshtatshme. Prandaj, institucionet kanë obligim që të kontribuojnë në drejtim të afirmimit dhe të përhapjes së dijes, koncepteve dhe përmbajtjeve pedagogjike për edukim të drejt
Nga Xheladin MURATI
Jeta dhe institucioni (shkolla, çerdhe etj.) janë dy fusha ku edukata reflekton vlerat, synimin dhe misionin e saj. Duke qenë se institucioni bazohet në ndarje të punës, në rregulla dhe parime, ndikimi i saj është më i madh . Megjithatë jeta ka kuptim më të gjerë dhe ndikimet e saja janë edhe të imponuara edhe të pa klasifikuara. Ç’kuptohet me jetë? Me jetë kuptojmë të gjitha ndikimet dhe reflektimet që bën në edukimin e individit si familja, rruga, filmi, kinemaja, televizioni, interneti, udhëtimi me tren dhe autobus, qendrat sportive, mediat e shkruara e elektronike, salla sporti e të ngjashme.
PREMISAT
Për të elaboruar temën në fjalë kam parasysh premisat vijuese:
- Edukata është problem jetësor dhe institucional.
- Edukata nuk duhet të dështon në jetë dhe në institucion.
- Edukata është rrëfim për luftën e njeriut për të pëballuar jetën.
- Në institucione edukata kontrollohet, organizohet, në jetë ajo realizohet spontane e pakontrolluar.
- Edhe jeta është shkollë nëpër të cilën të gjithë kalojmë si nxënës.
QASJET DHE ASPEKTET
Organizimi pedagogjik i institucionit, strukturat institucionale, objektivat e funksionimit të tyre dhe marrëdhëniet që vendosen me jetën mund të vihen pak a shumë në mision të edukimit. Koha ka shtruar para institucioneve nevojën jetike të përballimit të sfidave të edukimit. Falë modernizimit të jetës edukata ka ndryshuar më shumë në dekadat e fundit sesa në gjysmën e shekullit të kaluar. Madje profesioni i edukatorit ka ndryshuar në mënyrë drastike jo vetëm në jetë por edhe në institucionet ku ajo realizohet. Krahasuar me institucionet e tjera, shkolla si institucion edukimi mban parasysh raporte të caktuara pedagogjike e sociale që krijon, raporte që nuk janë në përpjesëtim me raportet në jetën e gjerë. Këto dy elemente e bëjnë edhe edukimin specifik pra të organizuar dhe spontan. Për dallim nga jeta ku edukimi realizohet në mënyrë spontane, të rastësishme, në institucione realizimi i saj varet nga disa elemente:
– nga natyra dhe nga karakteri i veprimtarisë së institucionit,
– nga përbërja e institucionit,
– nga mënyra e organizimit të jetës në institucion,
– nga privacionet e jetës institucionale.
Edukata në jetën e përditshme të njeriut shfaqet në mënyrë spontane nga individ që veprojnë lirshëm si në familje, në rrugë, në qendra sportive, në udhëtim me tren, me autobus e kudoqoftë. Jeta si kuptim më i gjerë ka dimensione dhe ndikime të paplanifikuara, atje nuk ka përshtatje funksionale ndaj veprimit edukativ, ndërkaq institucioni e ngushton hapësirën dhe mundësitë sociale të veprimit edukativ. Në institucion ka renditje vlerash, ka hierarki vlerash, ndërkaq në jetën e gjerë çdo gjë është e lire. Aty vlen koncepti personal i njeriut, mënyra e të kuptuarit të jetës, reagimi i personalizuar dhe liria e veprimit.
Megjithatë, rregullat dhe jeta institucionale reflekton në jetë, ato paraqiten si elemente të drejtimit të jetës. Nëse institucioni e ngushton sferën e lirisë, jeta e bën të hapur. Dhe pikërisht këtu është diskrepanca e veprimit. Edukata e mire institucionale e aftëson njeriun të veproj edhe në jetë, tek e fundit nëse kjo nuk ndodh, atëherë edukata ka qenë jo funksionale. Marrëdhëniet midis jetës institucionale dhe jetës së përditshme e kanë tërhequr vëmendjen e pedagogjisë dhe në shoqërinë demokratike ndryshe nga ajo totalitare, edukata dhe organizimi i saj ndjekin logjikën e avancuar të zhvillimeve në përputhje me kohën dhe ndryshimet. Pavarësisht nga format konkrete dhe përmbajtjet në të cilat realizohet edukata, edukata institucionale ka gjithmonë karakter selektiv. Ky karakter është më i theksuar në institucionet edukative. Kjo karakteristikë veçohet me disa elemente si:
– disiplinë e lartë,
– shkallë përkushtimi dhe
– rigorozitet profesional e normativ.
Pra edukata institucionale luan rol pozitiv në synimet e njeriut drejt tejkalimit të mangësive dhe vështirësive. Kjo e bën edhe më të arsyeshme forcimin e rolit të edukatës institucionale e cila ka edhe funksion të preventives së sjelljeve të papëlqyera apo devijante. Në institucione edukimi menaxhohet për t’u integruar individi në jetë dhe për të arritur qëllime të caktuara. Është e domosdoshme të integrohet edukata institucionale me jetën dhe ardhmërinë ndërsa arkitektët e saj duhet të kenë parasysh elemente të rëndësishme strategjike. Në praktikë marrëdhëniet midis edukimit institucional dhe atij në jetën e përditshme janë:
– mbizotërimi i jetës së përditshme mbi jetën institucionale;
– kontrolli i fortë i jetës mbi jetën institucionale;
– ndikimet e ndërsjella mbi njëra tjetrën.
Besoj se vetëm një harmonizim qenësor i marrëdhënieve midis tyre mund të jetë funksional dhe efikas dhe vetëm atëherë mund të jepen imperativët pedagogjike të cilat janë në funksion të realizimit të edukimit efikas. Ndërsa koncepti i edukatës që realizohet jashtë institucioneve është e lire, vazhdon të zhvillohet pa strategji, pa projekte dhe drejtohet nga të gjithë. Megjithatë, jeta është shkollë e madhe nëpër të cilën të gjithë kalojmë, mësojmë dhe edukohemi. Mospërputhja, për të mos thënë kontradiktat, që krijohen midis institucionit dhe jetës, madje këto shpesh me ritme më të larta se në institucion është një çështje me rëndësi pedagogjike dhe jetike për edukimin e drejt.
Nuk mund të vihen në jetë dëshirat e mira për edukim bashkëkohor, me struktura të papërshtatshme. Prandaj, institucionet kanë obligim që të kontribuojnë në drejtim të afirmimit dhe të përhapjes së dijes, koncepteve dhe përmbajtjeve pedagogjike për edukim të drejt. Ato kanë detyrim që nëpërmes formave të ndryshme të bëjnë aftësimin e e të rriturve për edukim duke ofruar edhe strategji edukimi edhe imperativët e edukatës.
PËRFUNDIM
Nga kuptimi në këtë sens i edukatës që realizohet në institucione apo në jetën e përditshme, analiza pedagogjike mund të bëhet, përveç të tjerash duke veçuar tri aspekte: profesionalizmin pedagogjik, marrëdhëniet institucion-jetë e lire jashtë institucionit dhe jeta e përditshme me një game të gjerë procesesh e dukurish sociale. Në këtë kontekst ,njeriu është kurioz dhe gjithmonë dëshiron të përmirësohet. Gjithmonë është gjurmues dhe e kërkon rrugën e zhvillimit dhe e dëshiron edukimin. Me siguri nuk ka njeri me mend në kokë që mund të ketë dyshim se cili është roli i edukatës në jetë.