Dibër, 10 dhjetor – Këshilli i Komunës së Dibrës në seancën e sotme të rregullt, për ushtrues detyre Kryetar komune, me shumicë votash e zgjodhi Eugen Camin, këshilltar prej radhëve të Aleancës për Shqiptarët.
Nga gjithsej pesëmbëdhjetë këshilltarë, aq sa i numëron Këshilli, Cami i mori tetë vota edhe atë tre këshilltarët nga partia e tij, dy nga VMRO-DPMNE, dy nga Besa dhe një këshilltar nga PE.
Ai në këtë funksion do të jetë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Komunës, për çka do të zbatohen zgjedhje.
“Meqë ligji parasheh zgjedhjen e një Kryetari të ri të Komunës në afat prej gjashtë muajsh, tek ne prej vdekjes së kryetarit paraprak me siguri kryetari i ri do të zgjidhet në ditën kur do të zbatohen zgjedhjet presidenciale. Kjo me qëllim që të mos bëhen shpenzime plotësuese”, deklaroi Bashkim Mashkulli, kryetar i Këshillit.
Kryetari i deritanishëm Ruzhdi Lata, për të cilin ishte mandati i dytë si Kryetar komune, pas një sëmundje të shkurtër dhe të rëndë, vdiq më 24 nëntor, në moshën 65-vjeçare.
U.d. kryetar i komunës Cami u falënderua për besimin dhe theksoi se do të punojë për të mirën e qytetarëve dhe të komunës.
Cami është pensionist, i lindur në vitin 1940 në Dibër, ndërsa e ka përfunduar edhe akademinë e lartë pedagogjike.