Arben Fetoshi, njohës i çështjeve ndërkombëtare, në një prononcim ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi është duke e mbajtur peng të gjithë procesin e lobimit dhe duke shkaktuar pakënaqësi edhe te vendet mike.
“Procesi i njohjeve është ndalur plotësisht për shkak se dialogu është kthyer në mekanizëm përcaktues të këtij procesi që do të thotë se njohjet e reja dhe anëtarësimi në OKB janë të kushtëzuara nga marrëveshja finale. Po ashtu dështimet e brendshme kanë shkaktuar pakënaqësi edhe te fuqitë mbështetëse të pavarësisë”, ka thënë ai.
Sipas Fetoshit, skandalet e njëpasnjëshme të diplomacisë kosovare janë duke e dëmtuar vazhdimisht Kosovën si në fitimin e njohjeve të reja, ashtu edhe në rrugën e saj euroatlantike. “Fajin kryesor duhet ta kërkojmë brenda, ndonëse problemi ka të bëjë edhe me ndryshim të rrethanave ndërkombëtare. Mungesa e unitetit politik, polarizimi i qëndrimeve, brishtësia institucionale dhe veprimet skandaloze si ato të shefit të Diplomacisë gjatë vizitës në SHBA, jo vetëm që i kanë frenuar njohjet e reja, por po e dëmtojnë seriozisht procesin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, ka theksuar ai.
Tutje Fetoshi ka thënë se gjithë këtë lëmsh politik në Kosovë e ka shfrytëzuar shteti serb, i cili ka kaluar në ofensivë për ta penguar edhe më shumë Kosovën. “Serbia e ka shfrytëzuar mjaft mirë këtë gjendje në Kosovë, duke arritur t’i shtojë rezervat e pjesëmarrësve ndërkombëtarë ndaj pavarësisë dhe t’i shtojë ambiciet për të fituar sa më shumë në kuadër të dialogut. Duke pasur parasysh zbrazjen graduale të Kosovës dhe demoralizimin serioz të qytetarëve mendoj se është koha e fundit për ta ndërruar ‘terapinë’ në mënyrë që ta shpëtojmë ‘pacientin’. Sfida e dialogut është reale, ashtu siç është reale edhe ikja e të rinjve”, ka potencuar ai./ZËRI/