Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka reaguar dhe ka marrë një masë karshi pilotit holandez Max Verstappen, pas reagimit që ky i fundit pati me Esteban Ocon pas garës së Brazilit. Në momentin e peshimit të pilotëve, pas garës, në bokse, Verstappen ka shtyrë disa herë rivalin e Force India, duke shkelur rregullat. FIA ka vendosur që piloti i Red Bull të kryejë dy ditë punë të detyruar në shërbimet sociale.
“Max Verstappen ka shpjeguar se qëllimi i tij nuk ishte të godiste Ocon pas garës, por ishte i tensionuar pas incidentit që ndodhi në garë mes dy pilotëve. Reagimi i francezit e ka provokuar dhe Verstappen humbi kontrollin, duke e shtyrë. Pavarësisht kësaj, kjo sjellje e pilotit të Red Bull ishte e gabuar dhe nuk është ky shembulli i duhur që sporti ynë duhet të përçojmë te fansat dhe brezi i ri”, thuhet në komunikatën e FIA-s.