FIFA merr një vendim të rëndësishëm simbolik në kuadër të përpjekjeve për të shpëtuar futbollistët e një skuadre të rinjsh në Tajlandë, që bashkë me trajnerin është bllokuar në një shpellë, si rrjedhojë e shirave të rrëmbyeshëm që kanë bllokuar daljen. Qeveria e futbollit botëror i ka dërguar një letër Federatës së Futbollit të Tajlandës në të cilën shpreh keqardhje të thellë dhe mbështetje për familjet e futbollistëve të rinj dhe trajnerit të tyre të cilët janë bllokuar në veri të vendit. Në letrën me nënshkrimin e presidentit Xhanni Infantino shkruhet se FIFA dëshiron t’i ftojë fëmijët dhe trajnerin e tyre në finalen e Botërorit në Rusi, nëse shpëtohen deri në atë ditë. Më tej shtohet se prania e fëmijëve dhe trajnerit në finale “pa dyshim do të jetë një moment fantastik i bashkimit dhe festimit”. Fëmijët, të cilët u bllokuan në shpellën e përmbytur nga 23 qershori, kanë kërkuar nga pjesëtarët e ekipit të shpëtimit, të cilët kujdesen për ta, që t’i informojnë për zhvillimet në Botëror. Finalja e Botërorit do të luhet më 15 korrik në stadiumin “Luzhniki” të Moskës.