Qytetarët me vite ankohen se karshi standardit të tyre dhe rrugëve që ngadalë po riparohen si për shembull në pjesën e autostradës Gostivar –Tetovë që ka harruar asfaltin e ri, po paguajnë çmime tejet të larta të taksave rrugore karshi vinjetave vjetore prej 100 euro evropiane
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 korrik –Prej të hënën filloi pagesa në autostradën e re nga Shkup deri në Shtip me pikë pagesat Kadrifakovo dhe Priod për veturat e pasagjerëve. Pasagjerët që shfrytëzojnë këtë rrugë të re modern përmes sistemit elektronik të pagesës do të paguajnë 160 denarë në një drejtim, apo rruga prej Shkupi deri në Shtip dhe anasjelltas do të kushtojë 320 denarë, së bashku me pagesën në dalje të Shkupit. Në autostradën e re, përskaj dy korsive me pagesë elektronike, në dy korsitë e tjera mund të paguhet edhe me para të gatshme në dorë. Autostrada Miladinovci – Shtip e shkurton rrugën deri në Shtip për gjysmë ore, dhe është e gjatë afër 47 kilometra. Ajo filloi të ndërtohej më shkurt të viti 2014 dhe duhej të përfundojë në mars të vitit 2017, mirëpo u lëshua në përdorim në fillim të muajit korrik para tre vitesh dhe kushtoi afër 180 milionë euro. Kohë më parë drejtori I Ndërmarrjes për Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemi shpjegoi se ngjashëm me pagesat e rrugëve në tërë vendin, përcaktohen në bazë të Rregullativës ligjore. Duke shtuar se aktualisht nuk mendohet për vendosjen e vinjetave që vite me radhë përdoren në shtete të caktuara të Bashkimit Evropian. “Çmimi i pagesave të rrugëve përcaktohet sipas Ligjit, kur për një kilometër është 2.57 denarë, andaj në Preod kushton 50 denarë dhe në Kadrifakovë kushton 70 denarë. Njëherësh vendosja e pagesës elektronike po mbështetet nga BE, ku në më shumë shtete ekzistojnë nisma që të anulohen vinjetat dhe të kalohet në pagesë elektronike”, shton Rustemi.
Paraprakisht pikë pagesat në këtë autostradë duhej të ishin gati deri në muajin mars të këtij viti dhe duhej të lëshohen në përdorim në muajin prill. Mirëpo në fillim të muajit mars, një kamion me targa të qytetit të Shtipit është rrokullisur dhe ka goditur pikë pagesën në fshatin e Shën Nikollës, Kadrifakovo ku një kabinë ishte shkatërruar tërësisht ndërsa dëmtime kishin pësuar edhe dy kabina të tjera, së bashku me dëme të tjera. Andaj edhe u prolongua vendosja në funksion e pikë pagesave në këtë aks rrugor .
Kohë më parë, Ministri i transportit Bllagoja Boçvarski theksoi se Maqedonia ka çmime relativisht të ulëta të kostos së taksës së rrugëve, ndërsa shtoi se për të pasur infrastrukturë cilësore rrugore, nevojitet që edhe rrugët të mirëmbahen dhe servisohen rregullisht. Sipas tij, pas vendosjes së dy pikë pagesave të reja në autostradën Miladinovci-Shtip, qytetarët nëse e kanë të shtrenjtë këtë pagesë , mund të udhëtojnë përmes Velesit, apo përmes rrugëve lokale.
Në ndërkohë, vitin e kaluar Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore ka realizuar të ardhura vjetore prej 46.4 milionë euro vetëm nga pagesat rrugore. Kjo është për 2.8 milionë euro me shumë në raport me vitin 2019 para pandemisë, dhe për 12.1 milionë euro më shumë në raport me vitin 2020 kur vendkalimet kufitare ishin të mbyllura deri në gjysmën e dytë të muajit majit.
Gati një pesta apo 25 për qind e totalit të mjeteve në vitin e kaluar janë realizuar përmes pagesës elektronike të Korridorit 10 ku në muajt e verës kalojnë turistë të shumtë në drejtim të Greqisë.
Sivjet priten të ardhura mbi 50 milionë euro, duke pasur parasysh edhe vendosjen në funksion të dy pikës pagesave të reja Preod dhe Kadrifakovë në autostradën Shkup-Shtip, si dhe sistemin elektronik pagese për rrugët ekzistuese me pagesë në Korridorin 8.
Nga ana tjetër, qytetarët me vite ankohen se karshi standardit të tyre dhe rrugëve që ngadalë po riparohen si për shembull në pjesën e autostradës Gostivar –Tetovë që ka harruar se kur është riparuar dhe ka parë asfalt të ri, po paguajnë çmime tejet të larta të taksave rrugore. Për çmimet e larta të taksave të rrugës në Maqedoni flasin edhe të dhënat se në Austri vinjeta vjetore për veturë kushton 93.8 euro apo as 100 euro. Të ngjashme janë çmimet edhe në Slloveni ku në vitin 2021 për veturat për tërë vitin, çmimi i vinjetës ishte 110 euro. Në Zvicër për veturat deri më 3.5 ton, paguhet vinjeta që vlen 14 muaj me çmim prej 36 franga apo 40 euro në vitin 2021. Edhe në Rumuni vinjetat kushtojnë afër 100 euro në vit, ndërsa në Sllovaki kushtojnë 50 euro. (koha.mk)