Në Gjykatën penale në Shkup sot duhet të vazhdojë gjykimi i të akuzuarve për tentimin për vrasje të deputetit Ziadin Sela, që ka ndodhur më 27 prill të vitit të kaluar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Rasti duhet të vazhdojë me fjalët përfundimtare të të dy palëve, pasi në seancën paraprake gjyqësore përfundoi procedura dëshmuese.
Kryetare e Këshillit gjyqësor është gjykatësja Sllavica Andreevska.
Për ngjarjet më 27 prill janë akuzuar Kire dhe Cane Gjorgjievski, Oliver Oshavkovski, Sasha Cenkov, Nikollçe Dimitrievski, Aleksandar Janevski – Toshta, Andrej Micov, Nikolla Vojminovski, Kosta Dellov dhe Stojan Pavllovski – Kobra.
Avokati i të dëmtuarit Sela, Abidin Abdyli pas përfundimit të seancës së fundit tha se në bashkëpunim me prokurorin publik në mënyrë shtesë do të vendosin për procedura të reja të mundura ndaj personave tjerë, të cilët shihen në dëshmitë, e nuk janë përfshirë me aktakuzën.