Diskriminimi dhe stereotipet ndaj gjinisë femërore në shtatë vende të Ballkanin Perëndimor ku u realizua ky programi, ishin thuajse të njëjta. Mirëpo nga ana tjetër mungon në praktikë mbrojtja institucionale e grave të diskriminuara
Remzije BILALLI
Shkup, 22 dhjetor – Përmirësimi i mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të grave në vend, forcimi i aftësive të organizatave civile dhe joqeveritare në vend për të përdorur Protokollin Fakultativ CEDAW për ankesa, mbrojta e të drejtave të grave në rastet e dhunës dhe diskriminimit me bazë gjinore dhe ndërgjegjësimi i publikut për të drejtat e grave dhe mekanizmat e mbrojtjes janë pjesë e qëllimeve të projektit “Gratë kanë të drejta” të implementuara nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut të Republikës së Maqedonisë.
Projekti është pjesë e Programit Rajonal të UNWomen në shtatë vende të rajonit. Pothuajse të gjitha vendet që zbatojnë këtë program kanë raportuar shkelje të të drejtave të grave dhe diskriminim ndaj tyre në baza të shumta dhe fusha që janë të ngjashme ose të njëjta, siç janë stereotipet me të cilat përballen gratë në këto shoqëri. “Nuk ka ndonjë hulumtim specifik për ndryshimet ose ngjashmëritë në stereotipe, por fakti është se të shtatë vendet në Ballkanin Perëndimor në Programin Rajonal përballen me të njëjtat stereotipe të cilat lidhen me gratë. Ekzistojnë stereotipe që gratë duhet të rrinë në shtëpi, që burri është ai i cili duhet të sigurojë jetesën, për shembull dhuna në familje është disi e pranueshme ndërkaq nuk duhet të jetë assesi dhe se nuk ka njohje të dhunës me bazë gjinore ndaj grave”, tha Tatjana Stoimenovska, koordinatore e projektit.
Ajo thotë se stereotipet në shoqëritë ushqehen që në moshë të re dhe se kjo më vonë çon në diskriminim dhe shkelje të të drejtave të grave. Në këtë aspekt ajo përmendi edhe librin e sociologjisë në Maqedoni ku në një nga paragrafët shkruhej se gruaja duhet të qëndroj në shtëpi për t’iu shmangur veprimeve kriminogjene. “Sa i përket këtij rasti të tilla propaganda nuk duhet të bëhen në libra të cilat përdoren në arsim sepse në vend që ti luftojmë steriotipet ne po i përforcojmë ata. Ne si Komitet i Helsinkit së bashku me koalicionin Margini kemi dërguar reagim të menjëhershëm tek Ministria e Arsimit dhe Shkencës nga ku ende nuk kane përgjigje zyrtare por sipas diskutimeve ky libër do të hiqet nga tekstet shkollore” tha Stoimenovska.
Për ketë arsye, siç potencoi edhe ajo duhet që të punohet vazhdimisht në rastet e tilla dhe në zhdukjen e tyre në mënyrë që të parandalohet diskriminimi i mëvonshëm dhe shkelja e të drejtave të grave. Qeveria aktuale u angazhua për Ligjin për parandalimin e diskriminimit ndaj gruas, po që ende nuk është formuar Komision i cila do të punojë në parandalimin e diskriminimit në këtë drejtim. (koha.mk)