NY Glam: Me cilin art identifikoheni më shumë?
Ameti: Më tepër preferoj të jetë arti im, por me qenë se nuk jemi “produkt’ i veçantë dhe është e natyrshme të kemi influencë nga rrethi artistik dhe nga koha ku ekzistojmë, gjithsesi do të kem identitet artistik i cili do të asociojë me identitetet e mirënjohura artistike. Më parë, kritikët e artit më kanë identifikuar si artist i “Gjeometrizmit lirik”, ndërsa tani si artist i ”Simbolizmit abstrakt”! Kjo e dyta është për tani më e përafërt me filozofinë time artistike. Unë mendoj se arti do të jetë më i fuqishëm nëse artisti е shfrytëzon burimin krijues që e ka më të afërt, që e përjeton çdo ditë, sesa të marrë shprehje tjera artistike, t’i ”mimikrojë” vlerat artistike të cilat nuk kanë të bëjnë me kohën dhe hapësirën e tij kulturore, që nuk kanë të bëjnë me eksperiencën e tij jetësore! Më kujtohet një artist francez i cili thoshte: “Më qahet kur shoh se piktori japonez pikturon si unë. Unë vetë jam i tepërt, e jo më ndokush tjetër që ka mundësi të hatashme të krijojë në mënyrë autoktone, siç vepron në këtë rast japonezi“! Pra, arti është më i fuqishëm kur tabanin krijues e ka atje ku jeton, frymon!
NY Glam: Cila është vepra juaj e preferuar?
Ameti: Edhe kjo pyetje shpesh më bën të kem dilema në përgjigje sa më të saktë. Çdo vepër që e realizoj më duket se ia kam dhënë tërësinë time shpirtërorë dhe shkathtësinë time artistike, kështu që prej kësaj rezulton se çdo vepër e ka pjesën qendrore në shpirtin tim. Mirëpo, gjithsesi pa vetëdijen time racionale, fshehtazi nga vetvetja, ndonjë vepër e kam më favorite. Që mos t’ju mbetem borxh, do ta theksoj veprën nga cikli Qendra dhe Margjina, ku mendoj se jam më specifik dhe ku është gjithëpërfshirës talenti dhe filozofia ime artistike. Bëhet fjalë për veprën e realizuar në vitin 2016, në teknikën klasike; vaj në pëlhurë dhe është në dimension poliptik 160 x 160 cm. Për realizimin e kësaj vepre artistike janë përdorur 12 pëlhura më të vogla, të cilat bashkohen me atë qendroren. Motivi mbështetës i kompozimit është një formë gjeometrike e rrumbullakosur që ndodhet në mes të kompozimit të pëlhurës mbajtëse. Motivet në dymbëdhjetë pëlhura që lidhen me pëlhurën qendrore janë më të lira, me forma të padefinuara, duke evoluar nga një formë në një tjetër, me vlera të pasura ngjyrash që krijojnë nuanca harmonike, ashtu që t’i japë kompozicionit një lëvizje graduale magjike. Në tërësi, vepra ka një përbërje strikte të synuar, ajo është dinamike dhe ka iluzionin e realizimit tredimensional dhe forcës vizuale gravitacionale.
NY Glam: Na tregoni për një nga projektet tuaja për të cilin jeni shumë krenar
Ameti: Gjatë karrierës time profesionale kam realizuar shumë projekte me të cilat mund të mburrem! Ekspozita që u realizua në Muzeun e Qytetit të Shkupit në vitin 2003! Ishte një event që edhe sot përmendet, kishte aq shumë vizitorë saqë mendova se tërë shteti ka ardhur! Gjithashtu vlen të përmendet edhe fitimi i çmimit nga Ministria e Kulturës së R. së Maqedonisë së Veriut për vepër jetësore në art dhe kulturë, pjesëmarrja në Bianalen e Pekinit, ekspozita e fundit në Galerinë Kombëtare etj. Pra, me të vërtetë janë aq shumë projekte të realizuara dhe që të mundem të krenohem me to dhe e kam vështirë t’i rangoj. Çdonjëri prej tyre e ka pasur peshën e veçantë në rrugëtimin tim artistik.
NY Glam: Çfarë do të thotë për ju “të jesh krijues”?
Ameti:Të jesh kreativ, për mua nuk do të thotë vetëm të jesh sa më interesant për rrethin dhe për situata të ndryshme, por është mënyrë më direkte në njohjen e vetes! Sa më kreativ që je, fillon më mirë ta njohësh veten. Është me rëndësi ta vendosësh veten në sprova, në situatë pa zgjidhje! Atëherë do të shohësh se çfarë përmbajtje ke, si mund të marrësh vendime të cilat do të rrezatojnë me kreativitet ku çdokush do të ketë përfitim. Shpesh e citoj thënien amerikane “ëin- ëin situation”, çdo arritje që përputhet me këtë definicion, është kreativiteti më i qëlluar.
NY Glam: Çfarë po përpiqeni të komunikoni me artin tuaj?
Ameti:Përmes lidhjes së artit, ne komunikojmë me rrethin, ashtu edhe unë besoj se me artin tim përcjell mesazhe që e prekin shpirtin, e përcjellin dritën time artistike përmes ngjyrave dhe gjuhës figurative; konsumentët e artit të përjetojnë bukurinë e ekzistimit vizual, të ngehe vibrime hyjnore, të motivohet për të qenë më human dhe të ndjehet më i rëndësishëm për prezencën e tij fizike dhe shpirtërore në këtë botë.
Shkenca njeh 3 kushte për zhvillimin e personalitetit dhe artistit të mirëfilltë: talenti, rrethi dhe aktiviteti! Po qe se plotësohen këto kushte, kemi një realizim të plotë human dhe shpirtëror…
NY Glam: Çfarë roli ka Artisti në shoqëri?
Ameti: Unë besoj se artisti me përkushtim konstant, të sinqertë në prezantimin e mesazheve artistike që ngërthen dimensione humane gjithmonë e ka forcën e ndryshimit të shoqërisë. Krijimtaria është kategori hyjnore, neve artistëve na pëlqen të themi se jemi këtu pranë Zotit. Besoj që kjo forcë kreative shpirtërore do të ekzistojë aq sa do të ekzistojë edhe vetë qenia njerëzore dhe çdoherë do ta bëjë ndryshimin në shoqëri qoftë ajo në dimensione sociale, politike dhe në shumë kategori tjera në jetën e përgjithshme të shoqërisë. Nëpërmjet artit zhvillohet dhe kultivohet shpirti i njeriut, njeriu bëhet më i edukuar, më i plotësuar, i butë në komunikim, më lehtë i pranon të gjitha fenomenet e jetës…Pra, përmes, të gjitha gjinive artistike: artit figurativ, muzikës, letërsisë, në fakt civilizimi njerëzor kalon nëpër përvoja magjike hyjnore dhe perceptime të gjithë nektarëve të jetës. Përmes artit, njeriu ndjen bukurinë dhe të vërtetën e ekzistimit, të gjitha dilemat janë të panevojshme dhe zhduken nga shkëlqimi i pastër i artit, dhe është e natyrshme që kjo cilësi e veçantë dhe forcë shpirtërore, të ndikojnë pozitivisht në politikë si dhe në aktivitete tjera të shoqërisë njerëzore.
NY Glam: Cfarë do të thotë për të qenë një artist në botën e sotme?
Ameti:Të jesh artist sot është më lehtë se ç’ka qenë në periudhat tjera të njerëzimit dhe artistët e sotshëm kanë më shumë përparësi se ata të mëparshmit! Pavarësisht vështirësive, globalizimit të tepruar ku shpejt humben identitetet artistike, tregu i artit jashtëzakonisht i ngarkuar, protekcionizmi, moskorrektësia dhe shumë devijime tjera shoqërore në botën e artit, unë besoj se jetojmë në një periudhë më të mirë të njerëzimit (jashtë periudhës së pandemisë) dhe këtë mund ta argumentoj edhe në aspektin e përparësisë teknike-teknologjike!. Pastaj, mundësitë për zhvillim të mediumeve tjera të artit pamor, krijime të shprehjeve bashkëkohore me materiale më të sofistikuara janë pa kufi! Pra, sot, të jesh artist ka shumë mundësi për të krijuar art! Por,gjithsesi se ka edhe vështirësi të mëdha në rrugëtimin artistik! Artisti në këtë kohë duhet të jetë me karakter të fuqishëm, të ketë besim në vete, ky rrugëtim nuk është ‘sprint” por “maratonë”, ku më të guximshmit mund të kenë suksese për të lënë gjurmët artistike dh ta ”gërvishtin’ kohën me artin e vet.
NY Glam: What can ëe expect from you this year?
Ameti: Më presin edhe 2 ekskpozita individuale, një në Kroaci dhe një në Slloveni! Gjithashtu jam në bisedime për një realizim të art happening në Neë York, por do të shohim si do të ecë puna në këtë drejtim.