Sot në fshatin Grabovc të Fushë Kosovës i është dhënë lamtumira e fundit vogëlushit 11-vjeç, Dren Berishës, i cili të enjten teksa po vozitej me biçikletë është goditur nga një makinë me ç’rast tragjikisht e ka humbur jetën, raporton “Zëri”.
Në ceremoninë e varrimit të talentit të futbollit kanë marrë pjesë shumë njerëz, madje nga vise të ndryshme të Kosovës. Kjo për shkak se Dreni qysh në fëmijëri ishte bërë anëtar i komunitetit të futbollit kosovar pasi po luante futboll për ekipin U11 të Fushë Kosovës. Kurse, babai i tij është Fatlum Berisha, gjyqtari i njohur i futbollit kosovar me stemë të FIFA-s.
Vdekja e tij e ka shokuar gjithë komunitetin sportiv. “E nderuara familje e Fatlum Berishës! Lajmi për vdekjen tragjike e të hershme të djalit tuaj Drenit, na ka trishtuar e pikëlluar të gjithëve, ndaj me lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve, futbollistëve, Gjyqtarëve të futbollit e futbolldashësve të Kosovës të Ju shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta. Dreni po ndiqte gjurmët e babait Fatlumit, duke u dashuruar që në vegjëli në lojën e futbollit dhe kishte nisur të zë shtat, por vdekja e mori në lulen e rinisë, duke ja ndërprerë ëndrrën djaloshare. Ndonëse, jetoi shkurt, Dreni la mbresa të një djali me virtyte të mrekullueshme, tipare të një futbollisti që premtonte dhe të një nxënësi të shkëlqyer e të nderuar ndër bashkëmoshatarët e vet. Duke qenë një çun kaq komplet, si i tillë do të kujtohet gjithmonë. Prandaj, në këto momente të dhembjes tuaj, jemi pranë jush që të përballoni më lehtë humbjen e më të dashurit tuaj”, thuhet në telegramin ngushëllues të kryetarit të federatës, Agim Ademi.
I tronditur ishte edhe trajneri i Drenit, Astrit Ajeti. “Ne emrin tim , dhe ne emer te shokve te Drenit dhe kf Fushe Kosova u11 i shprehi ngushllime familjes Berisha per humbjen e djalit tragjikisht , ata humben 1 djal ne humbem 1 fudbollist shembullore !! Prehu ne paqe engjulli i vogel !! Ishala ne xhenet ,,,,”, ka shkruar Ajeti në Facebook.
Edhe klubet kosovare të futbollit kanë shprehur ngushëllime për familjen, përfshirë këtu edhe klubin më të madh, FC Prishtinën. “Ngushëllime familjes së gjyqtarit Fatlum Berisha. FC Prishtina ndjenë dhimbjen e familjes. Dje morëm lajmin e hidhur e të kobshëm për vdekjen tragjike të djalit të gjyqtarit Fatlum Berisha, për vogëlushin, Drenin. Të prekur thellësisht, Ju lusim që në këto momente dhimbjesh, të pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta! Lusim Zotin që familjes t’ia lehtësoj sa më shumë dhimbjen”, thekson FC Prishtina.
Redaksia e sporti në “Zëri” i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe komunitetit të futbollit!