Andreas Christensen do t’i kërkojë Chelsea-t të largohet nëse nuk do të aktivizohet para Krishtlindjes. Kjo është bërë e ditur nga babai i mbrojtësit, i cili është njëkohësisht dhe menaxheri i tij, Sten. Danezi ka luajtur vetëm dy ndeshje si titullar me londinezët në këtë sezon dhe akoma nuk është aktivizuar në asnjë ndeshje të kampionatit anglez. 22-vjeçari ka qenë një nga më të mirët e Chelsea-t në gjysmën e parë të sezonit të kaluar, por rendimenti i tij pësoi një rënie në fazën e dytë dhe vendi i tij në formacion u mor nga Gary Cahill. Ndërkohë, trajneri i ri i “Bluve”, Maurizio Sarri, ka preferuar 31-vjeçarin David Luiz para tij dhe lojtari ka pranuar javën e kaluar se nuk ishte aspak i kënaqur me këtë situatë. Tani, në një intervistë të dhënë për një televizion danez, babai dhe menaxheri i tij, Sten, ka shkuar më tej, duke bërë të ditur se do të kërkojë shitjen e djalit të tij nëse ai nuk luan.
“Nëse kjo situatë nuk ndryshon para Krishtlindjes, ne do të kërkojmë një takim me Chelsea-n dhe do të themi: ‘çfarë mund të bëjmë për Andreas? A mund ta transferojmë?”.
Christensen ka kaluar dy sezone i huazuar te Borussia Monchengladbach, por Sten shtoi: “Nuk duam një tjetër huazim. Ose do të luajë me Chelsea-n, ose do të largohet. Nuk mendoj se huazimi është zgjidhja më e mirë për Andreas”, ka thënë ai.