Bayern sot është ndalur 2-2 nga Wolfsburg në “Allianz Arena” në një ndeshje ku kishte mundësinë për të arritur shumë më shumë. Skuadra e trajnerit Carlo Ancelotti vuajti mungesën e portierit Manuel Neuer, sidomos në rastin e golit të parë.
Golin e parë e shënuan bavarezët me sulmuesin Lewandowski në të 33′. Bayern dyfishoi avantazhin në të 42′ me Robben-in falë ndihmës së mbrojtësit Rafinha dhe u duk se gjërat do të ishin shumë të thjeshta për rekordmenët. Megjithatë, gjithçka ndryshoi në 45′ e dyta. Në të 56′ Maximilian Arnold turpëroi portierin zëvendësues të kapitenit Neuer, Sven Ulreich, me një goditje dënimi nga 35 metra. Gardiani i Bayern-it provoi ta presë topin me një dorë, por dështoi, edhe pse ishte një gjuajtje ballore. Në të 83′ Didavi shënoi golin e barazimit me kokë dhe stadiumi heshti. Bayern u përpoq të shënojë golin e fitores, por nuk ia arriti, as pas goditjes me kokë të mbrojtësit Hummels në sekondat e fundit.