Kënaqësia e një fitoreje tepër të vuajtur, të hënën në mbrëmje kundër Bolognas, u zbeh jo pak te Milani, për shkak të sherrit mes Gennaro Gattusos dhe mesfushorit Tiemoué Bakayoko, me këtë të fundit që refuzoi të futej në vend të të dëmtuarit Biglia dhe në fund të debatit lëshoi një “fuck off, man”, drejtuar trajnerit.
Pas ndeshjes Gattuso tha: “Të gjithë mund të më dërgojnë në të sëmës, por le të ma thonë vetëm për vetëm, në një dhomë. Do i them disa fjalë Bakayokos, nga ato që nuk thuhen dot në televizion”.
Bakayoko u përgjigj me një postim në rrjetet sociale: “Nuk e ofendova trajnerin, thjesht përsërita ato që ai tha. Isha gati të luaja, nuk e refuzova ndërrimin”.
BALLAFAQIMI – Sot në Milanello, ashtu si pritej, është zhvilluar takimi Gattuso-Bakayoko, që kanë folur para stërvitjes, në praninë e drejtuesve Leonardo e Paolo Maldini. Natyrisht, nuk dihet çfarë është thënë mes tyre, por Gattuso ndoshta i ka bërë dalje mesfushorit, i cili mund të mos luajë më për Milanin tani e tutje.
Në Firence do mungojnë Biglia, Calhanoglu e Paquetà, ndaj Bakayoko mund të nevojitet, por varet si do sillet në stërvitje deri në fundjavë.
E ARDHMJA – E çuditshme trajektorja e Bakayokos, i cili u mor në huazim me të drejtë blerjeje për 35 milionë euro nga Chelsea, por fillimisht u duk si lojtar amator. Megjithatë, muajt e fundit rritja e tij konstante bëri që Gattuso dhe gjithë drejtuesit të ishin shumë të kënaqur, para se francezi të krijonte probleme pa fund, fillimisht me fanellën e Acerbit pas fitores ndaj Lazios, më pas duke shkuar një orë me vonesë në stërvitje dhe tashmë bëma e fundit, me sherrin me Gattuson.
Me këtë sjellje, Milani nuk ka ndërmend ta mbajë në ekip dhe në verë Bakayoko do kthehet te Chelsea.