“Ne kemi gjithçka për ta fituar titullin, nuk mund të fshihemi, por jemi shumë të fokusuar vetëm te ndeshja e së dielës. Ishte e rëndësishme që Interi humbi në Bologna, tani fati është në duart tona”. Olivier Giroud është shumë i gatshëm për sprintin final të Milanit drjet “Scudetto”.
“Çfarë zgjimi ishte pas humbjes së Interit? Duhet të qëndrojmë të fokusuar tek ndeshjet tona, – përsëriti sulmuesi i Milanit në intervistën për “Sportmediaset”, – por humbja e zikaltërve na ka karikuar më shumë. Ne kemi përulësinë e duhur, por edhe besimin për t’i fituar të gjitha ndeshjet e mbetura”.
Si ka shkuar përshtatja te Milani?
Jam ndihmuar shumë për t’u përshtatur sa më mirë nga frankofonët. Më pas unë jam një person shumë social, kështu që gjithçka ka shkuar mirë, i mendojmë gjërat njësoj. Përshtatja ime është favorizuar nga e gjitha kjo.
Çfarë duhet bërë në momentet e vështira?
Ka dy mënyra për të reaguar në momente të tilla: të të vijë keq për veten ose të kesh një reagim prej fituesi dhe t’i kalosh vështirësitë. Ky është mentaliteti im, këto gjëra përforcojnë karakterin.
Sa rëndësi kanë ndeshjet e mëdha?
Një sulmues është gjithmonë në qendër të vëmendjes. Presin që ti të jesh vendimtar në çdo ndeshje. Ka patur një periudhë në të cilën nuk shënoja dhe merrja nota më pak pozitive në gazeta. Nuk është një gjë që e shikoj shumë, por janë gjëra që vijnë gjithsesi në veshët tanë. Është pjesë e lojës. Unë jam 35 vjeç, kam eksperiencën e duhur dhe e di se në këto momente duhet të rrish i përqendruar. Gjëja thelbësore është të jesh vendimtar në momentet e rëndësishme për skuadrën. Ne bëjmë gjithmonë më të mirën tonë për të arritur objektivin tonë për t’u bërë kampionë.
Çfarë mendon për Ibrahimovic?
Është i pabesueshëm. Karriera e tij, jetëgjatësia e tij, vendosmëria për të qëndruar në nivele të larta, dëshira për të bërë gjithmonë më shumë, është e jashtëzakonshme për një lojtar 40 vjeç. Pas 5 vitesh nuk e di nëse trupi im do të më lejojë të shënoj përsëri. Kështu që kam shumë respekt për Ibrën.