Hoze Murinjo beson se gjashtë ekipe aktualisht janë të përfshira në garën e titullit të Premier Ligës, ndërkohë që Mançester Junajtedi po përgatitet të përballet me Çellsin këtë të diel. “Djajtë e Kuq” janë për momentin të dytët në klasifikim, me 23 pikë, 5 pikë pas liderëve të Mançester Siti, ndërsa Totenhemi qëndron në vendin e tretë me 20 pikë dhe Çellsi i katërti me 19 pikë. Arsenali është i nivelit në pikë me “Blues”, ndërsa Liverpuli i Jurgen Klopp është i gjashti, tre pikë prapa.
Murinjo mendon se gara e titullit në Angli mbetet e hapur, pavarësisht dominimit të hershëm të “qytetarëve”. “Çellsi është kampioni në fuqi dhe një nga skuadrat më cilësore në vend. Unë i konsideroj ata, siç e konsiderojnë veten “Blues”, një konkurrent i madh për titullin”, – tha portugezi për “Sky Sports”.
“Unë mendoj se gjashtë ekipet e para konkurrojnë për titullin, ndërsa Everton, pavarësisht nga investimi i madh, nuk ka arritur të ndjekë grupin. Nëse Liverpul është një pikë prapa, unë jam goxha i sigurt se brenda dy javësh do të jetë pranë nesh”, nënvizoi më tej trajneri portugez.
Ndërkohë, Mata dhe Matiç do të kthehen në “Stamford Bridge” këtë fundjavë, ndërsa Murinjo mbetet i kënaqur që Mançesteri ka mundur të nënshkruajë me serbin në verë. Mesfushori ka impresionuar në “Old Trafford” që prej transferimit të tij prej 40 milionë sterlinash. “Isha i befasuar kur agjenti i Matiçit më bëri thirrje, duke më thënë: a e doni atë? – shtoi Murinjo. – Unë kam qenë i befasuar, por ai është një agjent që unë e njoh mirë. Normalisht, ai është shumë i drejtpërdrejtë dhe objektiv, nuk humb kohën, nuk përpiqet që njerëzit të jenë të interesuar për lojtarët e tij për të përmirësuar situatën në klubin e tyre”, përfundoi Murinjo.