Berlin, 25 dhjetor – Gjermanët në presidentin francez, Emanuel Makron shikojnë burrështetas me besim më të madh, madje edhe më të madh se të kancelares gjermane, Angela Merkel, edhe pse ai këtë vit me deklaratat e tij shkaktoi zhurmë të madhe në BE dhe NATO, ndërsa miliona njerëz në vendin e tij protestojnë në rrugë.
Hulumtimet e Institutit “Kantar”, tregojnë se gjermanët kanë besim më të madh, gjegjësisht 57 për qind ndaj Makronit. Kancelarës gjermane, nga ana tjetër i besojnë “vetëm” 53 për qind e gjermanëve, pretendon Instituti.
Makroni është më i preferuar midis votuesve gjerman të të Gjelbërve (75 për qind), por edhe midis socialdemokratëve (73 për qind).
Është interesant fakti që besim në Makronin kanë edhe 42 për qind e votuesve të krahut të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AFD).
Presidenti rus Vlladimir Putin nuk është burrështetas i preferuar për gjermanët dhe atij nuk i besojnë 67 për qind e të anketuarve. Më i papreferuar për ta është presidenti amerikan Donald Tramp, të cilit nuk i besojnë 89 për qind. Pas tij është presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan me mbështetje prej gjashtë për qind, ndërsa mosbesim 86 për qind. Boris Xhonsonit, kryeministrit britanik i besojnë vetëm 12 për qind e gjermanëve.