Omer XHAFERI
Shkup, 13 shtator – Këshilli për vërtetimin e fakteve dhe përgjegjësisë së gjykatësve, nga janari deri në shtator të këtij viti ka pranuar mbi 400 iniciativa dhe parashtresa nga qytetarët e që lidhen ngushtë me punën e gjykatave në vendin tonë, shkruan gazeta KOHA. Numri më i madh i ankesave të qytetarëve, që janë publikuar në raportin e fundit të Këshilli për vërtetimin e fakteve, kanë të bëjnë me punën e Gjykatës Civile të Shkupit. Ndërsa, menjëherë pas kësaj instance gjyqësor, siç theksohet në raport, renditet Gjykata Penale e Shkupit. Një pjesë e lëndëve që janë shqyrtuar brenda nëntë muajve të parë në këtë Këshill, sipas të dhënave të përfshira në raport, thuhet se janë trashëguar nga viti 2016. Procedura për vërtetimin e fakteve dhe përgjegjësisë së gjykatave, apo kryetarëve të gjykatave, para këtij Këshilli parashtrohet në afat prej 6 muajve prej ditës kur është konstatuar shkelja e një të drejta, mirëpo jo më tepër se 3 vite nga dita kur është vërtetuar një shkelje e tillë. “Krahas parashtresave dhe iniciativave për vërtetim të fakteve për dy Gjykatat më të mëdha në Shkup, gjatë periudhës së apostrofuar qytetarët kanë dorëzuar ankesave për punën e Gjykatës së Ohrit, asaj të Negotinës, Resnjes, Vinicës, Dellçevës dhe Radovish. Numri më i madh i parashtresave gjatë këtyre nëntë muajve të kaluar është regjistruar të ketë ndodhur në muajin shkurt, respektivisht numri më i ulët i parashtresave është dorëzuar në muajin janar dhe prill të këtij viti”, thuhet në raportin e Këshillit për vërtetimin e fakteve. Përveç qytetarëve që janë ankuar për shkeljen e të drejtave të ndryshme ligjore gjatë procedurave gjyqësore, në Këshillin për verifikimin e fakteve gjatë periudhës së kaluar iniciativë për përgjegjësi të gjykatësve ka ngritur edhe sektori civil. Shoqata joqeveritare “Zelena Llupa”, vetëm gjatë muajit shtator ka dorëzuar mbi 25 parashtresa për vërtetim të përgjegjësisë së gjykatësve dhe kryetarëve të gjykatësve, në mesin e të cilëve dhe për kreun e Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski. Sidoqoftë, nga ky Këshill njoftojnë se pjesa dërmuese e ankesave të pranuara në vitin 2017 janë zgjidhur, dhe vetëm një pjesë e tyre ka ngelur për t’u proceduar tutje. Ndërkohë, në raport nënvizohet se për 7 lëndë të pranuara, ato kanë formuar Komision, i cili do të merret me shqyrtimin e shkeljeve dhe parregullsive. Ndryshe, që kur në vitin 2015, Këshilli për verifikimin e fakteve dhe përgjegjësisë së gjykatësve u formua, ai vazhdimisht ka qenë pjesë e debatit dhe kritikës publike, në drejtim të asaj se themelimi i këtij Këshilli ishte i panevojshëm për sistemin juridik të Maqedonisë. Për këto arsye, duke i pasur parasysh vërejtjet dhe rekomandimet që i përmban raporti i Pribes, Ministria e Drejtësisë e ka përgatitur Propozim-ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor të Maqedonisë, ku mes tjerash parashihet shfuqizimi i Ligjit për Këshillin e verifikimit të fakteve. Mes tjerash, transmeton KOHA, në këtë Propozim-ligj, thuhet se qëllimi kryesor i plotësimit dhe ndryshimeve ligjore është rritja e transparencës së Këshillit Gjyqësor dhe procedimin transparent të lëndëve që ju referohen punës së gjykatësve dhe kryetarëve të gjykatave në vend. (koha.mk)