Shkup, 23 dhjetor – Gjykata e Apelit në Shkup, i pranoi ankesat e të akuzuarve në rastin “Titanik 2”, të parashtruara përmes avokatëve të tyre dhe kështu e shfuqizoi aktgjykimin e shkallës së parë. Me këtë vendim rasti “Titanik 2”, përsëri kthehet në rigjykim. Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit në Shkup, seanca publike është zhvilluar me 4.11.2019, transmeton gazeta KOHA.
“Gjatë shqyrtimit të aktgjykimit konstatuam se gjykata e shkallës së parë gjatë veprimit mbi këtë lëndë ka bërë shkelje të shumta esenciale mbi procedurën nga karakteri absolut. Për këtë arsye vendimi në tërësi është jo ligjor dhe i parregullt. Në këtë drejtim këshilli ankimues konstatoi se faktet e vërtetuar të cilët e përbëjnë shenjën ligjore të veprave penale që ju ngarkohen të akuzuarve, në tërësi e kundërshtojnë përmbajtjen e dëshmive të prezantuara, e njëkohësisht gjykata e shkallës së parë pa pasur bazë është lëshuar dhe i ka vërtetuar faktet për ekzistimin e përgjegjësisë penale për persona të cilët në këtë procedurë nuk kanë cilësi të të akuzuarve”, thuhet në kumtesën e Gjykatës së Apelit në Shkup.
Shqiptimi i masave të kujdesit, të shqiptuar ndaj të akuzuarve, gjykata vendosi të mbesin në fuqi.
Po ashtu nga Gjykata e Apelit në Shkup, informojnë se ky vendim i miratuar dhe arsyet për të njëjtën do të publikohen në tërësi në ueb faqen e gjykatës në afat të caktuar sipas Ligjit për menaxhimin me lëvizjen e lëndëve në gjykata.
Ndryshe, për parregullsitë në zgjedhjet lokale në vitin 2013, Gjykata Penale e Shkupit, me 8 mars të këtij viti të akuzuarve u shqiptoi dënim me burg prej gjithsej 19 vite e tetë muaj heqje lirie.
Ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov, u dënua me tre vjet burg. Dënim të njëjtë morën edhe Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Sërcev. Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, u dënua me tre vjet e dy muaj heqje lirie. Përderisa me katër vite e gjashtë muaj burg u dënua Bedredin Ibrahimi.(koha.mk)