Shkup, 8 nëntor – Gjykata e Apelit Shkup vendosi që bisedat e përgjuara për furnizimin e Mercedesit luksoz prej mbi gjysmë milionë euro të jetë dëshmi në gjykimin për rastin “Tenk” të Prokurorisë Speciale Publike. Rasti “Tenk” ka të bëjë në keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar nga ana e ish ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe shefit për furnizime publike Gjoko Popovski, me çfarë i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Në seancën e djeshme në Gjykatën e Apelit, siç kumtoi MIA, Jankullovska ka kërkuar që “bombat” të mos përdoren si dëshmi me arsyetimin se i është shkelur privatësia. Gjykata e Apelit deri më tani vendosi “bombat” të jenë dëshmi në rastet “Tenderë”, “Dhuna në Qendër”, “Treqind”, “Toplik” dhe “TNT”.