Godoj thotë se rekordi i ri botëror është një rekord i trishtuar që kërkon një aleancë më të fortë për mbrojtje më të madhe të refugjatëve në mbarë botën
Shkup, 20 qershor – Ditën Botërore të Refugjatëve, dita ndërkombëtare e organizuar çdo vit më 20 qershor nga Kombet e Bashkuara, këtë vit e shënojmë me një numër rekord të shpërnguljeve të detyruara në botë. Raporti i Trendeve Globale 2024 tregon se numri i personave të zhvendosur është rritur për të 12-in vit radhazi, me konflikte nga Sudani në Gaza dhe Mianmar duke krijuar zhvendosje të reja që kërkojnë veprime urgjente. Për këto shifra, gjendjen dhe rekomandimet për zgjidhje, në një intervistë për MIA-n bisedojmë me Gabriel Gualano de Godoj, përfaqësues i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët – UNHCR.
Godoj thotë se rekordi i ri botëror është një rekord i trishtuar që kërkon një aleancë më të fortë për mbrojtje më të madhe të refugjatëve në mbarë botën. “Deri në dhjetor të vitit 2023, shtetet raportuan se më shumë se 117 milionë njerëz ishin zhvendosur me forcë. Kjo nënkupton se 1.5 për qind e njerëzimit është detyruar të largohet nga shtëpitë e tyre si rezultat i shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Ky është një rekord botëror, por edhe një rekord i trishtë. Ne shënojmë Ditën Botërore të Refugjatëve për të bërë thirrje për unitet më të fortë për të siguruar mbrojtje për refugjatët në mbarë botën”, thotë ai.
Sipas tij, arsyet kryesore për këtë janë konfliktet aktuale, të vjetra dhe të reja në të cilat është e vështirë të adresohen shkaqet kryesore të luftës, si dhe mosgatishmëria për të ndarë përgjegjësinë dhe në të njëjtën kohë ato përfaqësojnë aspektet kryesore që e bëjnë të vështirë situatën për të mos patur refugjatë. “Situata në vendet kryesore si Afganistani, Siria, Ukraina, por edhe Somalia, Kongo dhe së fundmi Sudani, Palestina – këto janë vendet e theksuara në raportin ‘Global Trends’. Për shembull, ka më shumë se 10 milionë njerëz në Sudan që u është dashur të largohen. Nëse mendojmë për konfliktin në Gazë në shtetin e Palestinës, 80 për qind e palestinezëve janë të zhvendosur brenda vendit si pasojë e shkeljes së rëndë që po ndodh atje”, sqaron ai.
Numri më i madh i këtyre personave, sipas Raportit, detyrohen të ikin në vendet fqinje. Godoj thotë se 69 për qind gjejnë strehë të sigurt në vendet pranë vendit të tyre të origjinës. “Kjo do të thotë se ne mund të gjejmë refugjatë afër vendeve që kam listuar nga vjen një pjesë e madhe e popullsisë që është zhvendosur me forcë. Gjithashtu, nevoja për të gjetur zgjidhje gjetkë po rritet. Çdo vend mund të jetë një vend azili dhe për këtë arsye është e rëndësishme të reflektohet mbi mësimet e nxjerra nga ky proces dhe çfarë mund të bëhet për të gjetur më shumë zgjidhje dhe mundësi më të mira për refugjatët. Këta janë njerëz që duhen mirëpritur. Nuk është vetëm një imperativ moral, por edhe një detyrim ndërkombëtar”, thekson ai.