Bujar KURTAJ
Shkup, 20 – shkurt – Skuadra e Shkëndijës me fitoren 0-3 ndaj Shkupit të dielën në kuadër të javës së 20 në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë, ka vazhduar marshin e saj drejt titullit të dytë në historinë e tyre. Djemtë e trajnerit Qatip Osmani më lehtë se sa pritej arritën fitore më se të merituar, ndërsa për këtë meritor ishin të gjithë futbollistët, duke marr parasysh se secili ishte në nivelin e tij.
Ndryshe, njërin nga tre golat e ndeshjes e shënoi mbrojtësi Ardian Cuculi, i cili u rikthye në ekip pas lëndimit në momentin e duhur. Ai në minutën e 33 kërceu më lartë dhe me kokë mposhti Suad Zendelin, dhe ky gol ka bërë që ai të festojë bashkë me bankën rezerve.
Derisa, për gazetën KOHA, Cuculi pranoi se është shumë i kënaqur me rikthimin e tij në ekip pas lëndimit dhe golin e shënuar. “Jam shumë i kënaqur për rikthimin dhe golin sepse vija nga një lëndim që më la jashtë fushës për rreth tre javë. Kam punuar shumë gjithë këtë periudhë dhe kjo që ndodhi ishte me rëndësi sepse gjithmonë kur vjen nga lëndimi ke një ndjenjë rezerve se si do të shkojnë gjërat. Për fat të mirë bëra punën time si duhet në mbrojtje, ndërsa me golin e shënuar vetëm se ndihmova më shumë ekipin të arrijë objektivin. Golin dua t’ua dedikoj djemve të ekipit mjekësor të cilët gjithë periudhën e rikuperimit më kanë qëndruar pranë dhe kjo ishte një shenjë falënderimi për ta”, shprehet për KOHA, Cuculi.
Ai thotë se fitorja ndaj Shkupit është shumë e rëndësishme, fitore e cila atyre u jep vazhdimësi në drejtim të realizmit të ambicieve që i kanë. “Fitore e rëndësishme që na jep neve vazhdimësi në drejtim të realizimit të ambicieve tona sezonale. Mendoj se menaxhuam si duhet këtë përballje kundër një rivali cilësor të cilin ne e kishim analizuar mirë dhe me një përgatitje shumë adekuate hymë në këtë ndeshje. Dominuam dhe shënuam tre gola, duke humbur edhe shumë shanse tjera kështu që mendoj se me meritë morëm fitoren”, shtoi më tej numri gjashtë i kuqezinjve.
Në fund, Cuculi foli për rivalin e tij Vardarin dhe pjesën e mbetur të sezonit. “Për fat të mirë ne jemi në situatë që mos varemi nga tjerët por direkt nga rezultatet tona. Çka bëjnë rivalët është punë e tyre, ndërsa ne me qetësi marrim ndeshjet një nga një për të fituar secilën prej tyre. Deri tani gjërat kanë shkuar mirë dhe ne jemi duke punuar që të mbajmë këtë rritëm deri në fund të kampionatit”, përfundoi Ardian Cuculi, autori i golit të parë për Shkëndijën ndaj Shkupit. Ndërkohë, në 16-të xhirot e mbetura, Shkëndija i prinë renditjes tabelore me 50-të pikë, tetë më shumë se Vardari në pozitën e dytë.