Moskë, 4 nëntori – Ish-lideri sovjetik Mihail Gorbaçov paralajmëroi se tensioni aktual mes Rusisë dhe Perëndimit e ka ekspozuar tërë botën drejt “rrezikut kolosal” nga konflikti bërthamor i mundshëm dhe bëri thirrje për shkatërrimin e armëve bërthamore.
“Derisa ekzistojnë armë për shkatërrim masiv, siç janë armët bërthamore, rreziku për të gjithë botën është kolosal. Të gjitha kombet duhet të bëjnë thirrje për shkatërrimin e armëve bërthamore. Kjo është një gjë që duhet ta bëjmë nëse duam ta shpëtojmë njerizimin dhe planetin”, deklaroi Gorbaçov në intervistë për Bi Bi Si.
Në pyetjen se nëse tensioni në mes Rusisë dhe Perëndimit përkujton epokën e Luftës së Ftohtë, Gorbaçov tha se bëhet fjalë për “pro – luftë të ftohtë”.
Lideri i fundit sovjetik ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1990 për marrëveshjen historike me presidentin e atëhershëm amerikan Ronald Regan për zvogëlimin e armëve bërthamore, prej të cilave Donald Tramp është tërhequr këtë vit.
Vendimi i Gorbaçovit për të mos e dërguar armatën sovjetike në Gjermaninë Lindore kur “u rrëza” Muri i Berlinit para 30 vitesh, konsiderohet thelbësore për ruajtjen e paqes gjatë Luftës së Ftohtë.