Momente frike dhe pasigurie për familjarët e mbrojtësit të Paris Saint Germain, Thiago Silva. Sikurse raporton prestigjiozja spanjolle “AS”, djali dhe tezja e bashkëshortes së tij ishin “viktimat” e një grabitjeje me dhunë. Në momentin kur djali i Thiago Silvas po shoqërohej nga tezja e gruas së futbollistit në një ndeshje në Créteil, një motor me dy persona u ndal para makinës së tyre.
Grabitësit, të cilët i kishin studiuar lëvizjet e familjarëve të brazilianit, zbritën nga motori dhe i detyruan me dhunë që t’u dorëzonin një orë “Gucci” me vlerë të madhe, por mbi të gjitha e kanë tmerruar familjaren dhe djalin e Thiago Silvas. Ata nuk do të jenë më në paqe në Paris.
Bashkëshortja e ish-mbrojtësit të Milanit, Isabella menjëherë e ka denoncuar grabitjen në polici dhe ka shprehur publikisht shqetësimin e saj.
“Ndjenja që mbizotëron është pasiguria. Ne kurrë nuk kemi refuzuar ndonjë fotografi apo autograf për tifozët, shpresojmë që policia t’i gjejë hajdutët”, – tha ajo.