Në mungesë të kontrolleve të detajuara te mjeku adekuat, pacientët në të shumtën e rasteve iu drejtohen barnatoreve për qetësues. Kjo sjell edhe keqdiagnostifikimin, kurse pacientët në vend se të shërohen, sëmuren edhe më shumë
Delvina KËRLUKU
Shkup, 16 shkurt – Sipas disa hulumtimeve të fundit, rezulton se gratë janë të prirura t’i përdorin më shumë se burrat barnat qetësuese, kurse arsyeja del të jetë se ato vuajnë më shumë nga mërzia dhe ankthi. Sipas psikiatrit Migjen Amzai, pacientët, të cilët përdorin barnave qetësuese janë keq të diagnostikuar dhe kryesisht nuk i nënshtrohen kontrolleve të mjaftueshme mjekësore, shkruan gazeta KOHA.
“Përditë takohem me dhjetëra njerëz që vuajnë nga shqetësime emocionale, depresione, probleme me ankthin, frikën, etj. Ajo që më habit më shumë, është që nuk shpalosin simptomat, edhe pse shpesh herë shenjat janë të dukshme, por shpalosin faktin që ndihen të pakuptuar dhe të padëgjuar. Kjo nuk ndodh vetëm në shtëpi. Për fat të keq, pjesa më e madhe shqetësohen dhe kanë paragjykimese gjoja as psikiatri nuk ka durim ti dëgjojë, se gjoja jep diagnozën për pak minuta dhe të tillët vijnë edhe në ordinancën time të cilët mendojnë se janë të keq diagnostikuar. Pra, shqetësim për mua nuk është fakti i përdorimit të antidepresantëve, por pse i marrin pa bërë analiza, pa u testuar dhe kjo ka sjellë në përshkallëzime të tjera, shpesh herë në topitje totale kur pacientët nuk funksionojnë më dhe as që ju intereson se çfarë po ndodh rreth tyre. Një pjesë e mirë edhe tentativa vetëvrasjes, që shpesh, fatkeqësisht rezultojnë të suksesshme”, tha psikiatri Amzai, për gazetën KOHA.
Për çdo ditë, edhe në ordinancat e mjekëve ka pacientë që kërkojnë shpëtim nga depresioni ose ndonjë shqetësim të ngjashëm. Sipas mjekut Sedat Lumani, pacientët kanë probleme të ndryshme dhe nga pandërgjegjshmëria e tyre përdorin barna qetësuese edhe kur kjo ka një efekt të dëmshëm në jetën e tyre personale. “Janë barna, që japin varshmëri, janë barna të dëmshme, janë barna që më vonë bën destruksion të egos së personalitetit. “Pacientët tanë shpesh nuk e respektojnë mendimin e mjekut dhe atyre nuk i intereson vlerësimi profesional i mjekut. Mirëpo, ka raste edhe kur jepen qetësues nga ana jonë, dhe kjo si rezultat që pacienti nuk i përballon kushtet e vështira ekonomike, sociale, problemet familjare, papunësinë, etj. Fatkeqësia është se çdo ditë vijnë pacientë me shqetësime të këtilla”, tha mjeku Limani, për gazetën KOHA. Rekomandohet nga ana e mjekut, që nëse nuk është nevoja e madhe për përdorim të qetësuesve, tu shmangen atyre, sepse është në dëm të vetë pacientit.
Sipas dr. Lumanit duhet të rritet vetëdija e pacientëve, por të futet edhe psikoterapia në praktikën mjekësore.
Krahas mjekëve që lëshojnë recetat, edhe farmacistët kanë përgjegjësinë që barnat mjekësore të përdoren siç duhet. Farmacisti Bislim Bislimi thotë se nëpër farmacitë harxhohen më shumë barnat për qetësim, veçmas diazepani, dhe se të gjitha barnat, të cilat bëjnë pjesë për qetësues, jepen me rekomandim të mjekut, me recetë.
“Tregu, te ne është i tillë, që njerëzit shpesh i drejtohen farmacisë, sepse barnat janë pak më lirë për pacientin, se sa vizita te mjeku dhe për rrjedhojë ndodhë që farmacitë të shërbejnë pacientin, në mënyrë jo të rregullt, sepse ana ekonomike i detyron ata të shkelin anën ligjore”, thotë farmacisti Bislimi. Ndryshe, barnat për qetësim janë shumë të zakonshme në popullatën e përgjithshme në Maqedoni. Vetëm 32.5% e njerëzve të moshës 15-64 vjeç dhe 23.2% të njerëzve të moshës 15-34 vjeç, përdorin barna qetësuese gjatë vitit të fundit, sipas raportit të fundit të shëndetit publik të institutit të shëndetit publik. (koha.mk)