Antoine Grizmann dhe Nejmar janë, sipas moshës dhe gjendjes, dy lojtarët që duken të destinuar të startojnë duelin e ardhshëm të madh në historinë e futbollit. Në dhjetë vitet e fundit, Kristiano Ronaldo dhe Leo Messi kanë fituar të gjithë “Topat e Artë”: pesë për portugezin dhe pesë për argjentinasin. Me shumë mundësi, një prej të dyve, Grizmann dhe Nejmar, do të ngjitet në podium (vendi i tretë) për çmimin individual prestigjioz për vitin 2018, por është e qartë se për vendin e parë, Ronaldo dhe Messi mbeten të pakonkurrueshëm. E ardhmja e Nejmar dhe Grizmann, gjithsesi, është temë kryesorë e merkatos së kësaj vere. Braziliani përflitet për një transferimim të mundshëm te Real Madridi, ku do të luante përkrah Ronaldos, ndërsa francezi mund t’i bashkohet Messit te Barcelona. Nëse ndodh kështu, të dy sulmuesit do të jenë rivalë për t’u ngjitur në fronin e mbretit të futbollit për vitet e ardhshme. Grizmann është 27 vjeç, ndërsa Nejmar vetëm 10 muaj e 10 ditë më i vogël. Praktikisht kanë të njëjtën moshë për të rivalizuar kokë më kokë si për trofetë e skuadrave, ku do të luajnë, edhe për ato individualë. Në këtë sezon, sulmuesi aktual i Atletiko Madrid ka shënuar 29 gola në 48 ndeshje, ndërsa Nejmar ka një mesatare më të mirë, 28 gola në 30 ndeshje. Këto shifra, gjithsesi, mbeten inferiore me ato të Messit dhe Ronaldos. Argjentinasi i Barcelonës ka shënuar 45 gola në 53 ndeshje, ndërsa portugezi i Real Madridit 43 gola në 42 ndeshje. Palmaresi i Nejmar për momentin është më i kompletuar se i Grizmann. Sulmuesi brazilian ka fituar një herë Kupën e Konfederatave, Championsin, Superkupën e Evropës, Superkupën e Amerikës së Jugut, Kupën e Brazilit, Ligue 1, Kupën e Francës, Kupën e Ligës; 3 herë Kupën e Mbretit dhe 2 herë Superkupën e Spanjës. Ndërsa francezi “colchoneros” ka ngritur lart vetëm një Suerkupë të Spanjës dhe së fundmi “Europa League”, teksa në finale ndaj Marsej ishte protagonist absolut me një dygolësh. Në “Rusia 2018” do të jenë të pranishëm të dy, me kombëtaren e Brazilit dhe Francës. Nëse shkëlqejnë dhe triumfojnë në Botërorin e kësaj vere, atëherë mund të ndërfuten që këtë vit në duelin mes Messit dhe Ronaldos për “Topin e Artë.”