Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 nëntor – Në periudhën e kaluar dhjetëvjeçare janë rritur për afër 260 për qind mjetet që transferohen nga Buxheti i shtetit në arkën e Fondit Pensional për pagesën e pensioneve, shkruan gazeta KOHA. Vetëm në vitin 2018, në propozim-buxhetin për vitin 2018 janë parashikuar 500 milionë euro për mbulimin e gropës së madhe të Fondit Pensional si mjete që nuk mund ti gjenerojë vetë arka e fondit. Kjo nënkupton se injeksionet financiare nga arka shtetërore në arkën e Fondit Pensional, për pagesën e rregullt të pensioneve – janë rritur prej 153 milionë euro në vitin 2006 – në 500 milionë euro këtë vit. Ekonomistët thonë se plakja e popullatës, ulja e numrit të të punësuarve që mbajnë një pensionist prej raportit 3 me 1 para 25 vitesh në 1.9 në 1 aktualisht, si dhe rritja e pensioneve më e madhe se rritja ekonomike, ka kontribuar në gropën kaq të madhe financiare të Fondit Pensional, që nuk mund të mbulojë pagesën e pensioneve nga të ardhurat e saja vetanake.
Njëherazi, në periudhën e kaluar dhjetëvjeçare janë rritur edhe harxhimet e pensioneve si rrjedhojë e rritjes së numrit të pensionistëve, si dhe harmonizimit të pensioneve me rritjen e harxhimeve jetësore. Numri i pensionistëve është rritur prej 269.681 në vitin 2006 në 307.498 në tetor të këtij viti. Gjithashtu, harxhimet për pagesën e pensioneve në vitin 2016 ishin afër 48 miliardë denarë dhe janë rritur në raport me vitin 2007 për afër 84 për qind. Ekspertët ekonomik ndërkaq alarmojnë se ekzistojnë më shumë shkaqe të rritjes kaq të madhe të të hollave që nga arka e shteti transferohen në arkën e Fondit Pensional.
“Ulja e kontributeve ishte faktor kryesor që ndikoi në rritjen e kësaj shume, ndërsa ndikim të madh kishte edhe rritja më e madhe e pensioneve se sa rritja ekonomike. Andaj, në të ardhmen, për zgjidhjen e minusit në arkën e Fondit Pensional si opsione mund të shqyrtohet rritja e shkallës së kontributeve për sigurim pensional, revizion i të drejtave për stazh të beneficuar, rishqyrtim i moshës për pensionim… e kështu me radhë”, thotë për KOHA, profesori universitar Marjan Petreski. Sipas tij, nevojitet një analizë më e kompletuar dhe më e thellë me qëllim që të shikohen se cilat masat do të japin rezultatet më të mira.
Në ndërkohë, plakje të popullatës dhe ulje të mëtejshme të numrit të të punësuarve që mbajnë një pensionist parashikojnë analizat e Fondit Pensional. Analiza e raportit aktual të Fondit Pensional të Maqedonisë tregojnë se do të rritet numri i pensionistëve nga afër 300 mijë në 470.000 në vitin 2050. Harxhimet për pagesën e pensioneve parashikohen të rriten prej afër 700 milionë euro në 1.5 miliardë euro, ndërsa pensionet mesatare pritet të zvogëlohen nga 53 në 43 për qind të pagës mesatare neto. Raporti alarmon se në periudhën e ardhshme, çdo ditë e më pak të siguruar do të paguajnë për një numër më të madh të pensionistëve dhe do të paraqiten vështirësi në mbulimin e harxhimeve të Fondit Pensional. Analiza bazohen në projeksionet afatgjate për ardhmërinë e sistemit pensional në vend, të bazuar në lëvizjet e ardhshme demografike dhe ekonomike të përgatitura nga institucionet përkatëse. Sipas ekonomistëve, një nga zgjidhjet më pak të dhimbshme për mungesën e të hollave në sistemin pensional, me qëllim që ai të mos ketë nevojë të marrë injeksione financiare nga Buxheti i shtetit, si dhe vetë-qëndrueshmërisë së tij – është rritja e numrit të të punësuarve që do të mbushin arkën e Fondit Pensional. Megjithatë, një gjë e tillë lë shumë për të dëshiruar në kushte të rritjes modeste ekonomike të Maqedonisë që nuk hap shumë vende të reja pune në sektorin privat. (koha.mk)