Një guru teknologjie shpreson të jetojë deri në moshën 200-vjeçare, duke investuar në “shkencën e përjetësisë”. Shkencëtari rus ka shpenzuar rreth 100 milionë Dollarë në bioteknologji, për të zgjatur jetëgjatësinë e njeriut. Sergey Young është një investitor multimilioner, që dëshiron t’i ndryshojë jetën miliarda njerëzve.
Ai mendon se duke përdorur pjesë trupi artificiale, printim 3D të organeve dhe “avatarë”, njerëzit mund ta zgjasin jetën e tyre. “Sot asnjëri nuk di si të jetojë deri në moshën 122-vjeçare. Njeriu më i vjetër në planet ishte një franceze, e cila vdiq në vitin 1997”, tha Young për Telegraph. Shkencëtari shpenzon para për teknologji, si robotika, organet zëvendësuese që rriten brenda trupit dhe hulumtime të ndryshme.
“Ne po investojmë në diagnostikimin e hershëm të kancerit dhe inteligjincën artificiale për zhvillimin e ilaçeve. Imuniteti i trupit tonë i refuzon pjesët artificiale, por nëse i vendosim të rriten brenda tij gjithçka zgjidhet”, shpjegoi Sergey Young. Ai shtoi se nuk dëshiron të bëhet i pavdekshëm, por të rrisë jetëgjatësinë e njerëzve, duke bërë ndryshime teknologjike për një jetesë dhe shëndet më të mirë.