Londër, 14 nëntor – Eurokomisari në largim Johanes Han në intervistë për Fajneshëll Tajms e përsëriti dëshpërimin që Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nuk iu ishte lejuar që të fillojnë negociata për anëtarësim me Bashkimin Evropian, transmeton gazeta KOHA.
Hani thotë se deri në bllokimin e negociatave ka ardhur në moment kur duhej të përforcoheshin përpjekjet për BE-në që të bëhet lojtar i fuqishëm botëror dhe se ka përfaqësuar humbjen e ndikimit në rajon, për të cilin thotë se është i afërt historikisht dhe gjeografikisht me BE-në, gjatë kësaj duke lënë hapësirë për Kinën dhe Rusinë.
“Më e dhimbshmja është ajo që BE-ja nuk i demonstroi parimet e partneritetit dhe përgjegjësisë, te të cilat vazhdimisht thirret dhe në të cilat gjithmonë bazohemi”, potencoi Hani.
Ai shfaqi frustrim nga bllokimi i presidentit francez Emanuel Makron, duke përmendur se Parisi i ka penguar negociatat me Maqedoninë e Veriut, madje edhe pasi vendi arriti marrëveshje me Greqinë, për “problemin jashtëzakonisht të ndjeshëm me emrin”.
Ai vlerësoi se kjo paraqet fyerje për vitet që Eurokomisioni i ka kaluar në vendosjen e kornizës politike për marrëveshje dhe ka dërguar porosi të gabuar deri te liderët rajonalë.
“Procesi i anëtarësimit është bazuar në merita dhe nëse nuk e pranojnë përparimin, nuk do të ketë stimul për reforma”, tha ai.
Hani zbuloi se presidenti serb Aleksandër Vuqiq, pas bllokadës së negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ka thënë se nuk e ka të qartë se pse do të ishte i motivuar që të vazhdojë dialogu me Prishtinën. Gazeta vlerësoi se qëndrimi i tillë është goditje për BE-në, e cila kishte kaluar 10 vite duke tentuar që të jetë mentor në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës.
Edhe krahas fundit dramatik të mandatit të tij, Hani tha se është krenar për progresin e bërë derisa ai e kryente funksiononin në kuptim të përmirësimit të marrëdhënieve në rajon. Ai përkujtoi se nga viti 2015 BE-ja në rajon ka investuar gati një miliardë euro përmes fondeve për lidhje të ndërsjellë, ndërsa tregtia në kuadër të rajonit është rritur për 20 për qind. Hani, gjithashtu, e lavdëroi planin për heqjen e taksave për roaming të përdoruesve të telefonave mobilë në rajon deri në vitin 2021, në bazë të modelit të BE-së. Eurokomisari në largim dërgoi lëvdata edhe për iniciativën rajonale për heqjen barrierave doganore në tregti.(koha.mk)