Prishtinë, 2 mars – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj i ka hedhur si të pabaza informatat në media se SHBA-ja do t’i tërheq ushtarët e saj nga Kosova nëse qeveria e tij nuk e tërheq vendimin për 100 për qind taksë për import nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, njofton korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.
Në intervistë për televizionin publik të Kosovës, RTK, Haradinaj tha se vendimin eventual për braktisje të bazës “Bondstil” në Kosovë, Uashingtoni nuk do të marr “jashtë interesave të veta globale të sigurisë”.
“Nëse Amerika e ka në plan ta heq Bondstilin, si me taksë, si pa taksë do ta heqë, nëse nuk e ka në plan ta heq, nuk do ta heqë. Rrini të qetë, sepse nuk do të ndodh kjo. Amerika e heq Bonsteelin vetëm nëse e ka në planet e veta që ta heq, por do të na bëjnë të zotë për t’u mbrojtur, pasi e kemi këtu kufirin me Rusinë. Nuk e heq për taksën. Nuk e them që nuk e ka thënë askush, por nuk bëhen këto punë për taksë”, tha Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës thotë se i vjen keq që aleatët qeveritarë janë ndarë për ta dëmtuar kryeministrin dhe kërkoi nga të gjitha partitë në Kosovë të bashkohen për taksën kundër Serbisë.
“Le të dalin e të thonë se jemi bashkë dhe taksën nuk e heqim dhe do ta shihni se do të ndryshojë qëndrimi amerikan”, thekson Haradinaj.
Ai thotë se “disa politikanë kosovarë ndryshe ia prezantojnë SHBA-së situatën lidhur me dialogun me Serbinë”.
“Kur është në pyetje Amerikan, druaj vetëm kur dikush nga ne shkon atje dhe gënjen, Ky është rreziku i vetëm. Rreziku nuk vjen nga Amerika, as nga Evropa, vjen prej nesh. Situata është e tillë siç është. Nuk mund të ketë koordinim me dikë që del jashtë Kushtetutës”, deklaroi Haradinaj.
Qëndrimin e tillë, kryeministri i Kosovës e ka parashtruar lidhur me çështjet për dallimet mes tij dhe presidentit të shtetit, Hashim Thaçi, lidhur me taksën prej 100 për qind për importin nga Serbia dhe BeH-ja dhe kërkesës së Uashingtonit për heqje të së njëjtës.
Thaçi kërkon heqje të taksës, me qëllim që të zhbllokohet dalogu me Serbinë, ndërsa Haradinaj është i vendosur se ajo do të mbetet derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës.
“Me vjen keq që jemi ndarë kështu. Po të ishim bashkë për taksën, do ta ngritnim Kosovën në nivel më të lartë lidhur me Serbinë, Evropën dhe Amerikën”, deklaroi Haradinaj në intervistën e mbrëmshme për RTK-në.
Ai u bëri thirrje të gjitha subjekteve relevante të Kosovës që të bashkohen rreth kërkesës për mosndryshim të kufijve të shtetit, ashtu siç ishin të bashkuar rreth formimit të Ushtrisë së Kosovës”.
Në mënyrën e njëjtë si dhe për Ushtrinë, theksoi kryeministri i Kosovës, subjektet politike në vend ishin të bashkuar edhe ldshur me statusin e kombinatit Trepça.
“Zgjidhja është të bashkohemi rreth taksës, si dhe për Trepçën. Amerika nuk është kundër neve, ne e kemi hutuar. Për ushtrinë ishim të bashkuar dhe – problemi është zgjidhur. Ju bëj thirrje të gjithë të na bashkoheni”, porositi Haradinaj.
Vendimi për taksën e importit të prodhimeve serbe, tha kryeministri i Kosovës, nuk është as jokushtetues, as në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare për tregti.
“Unë nuk mora vendim jokushtetues për taksën, Vendimi është ligjor, demokratik dhe i drejtë. edhe CEFTA e parashikon atë. Presidenti (i SHBA-së Donald) Tramp po ashtu po ndërmerr veprime të tilla, me sanksione ndaj Kinës, Iranit, Rusisë”, deklaroi Haradinaj në intervistë për televizionin publik, RTK.