Dita e nesërme e Evropës – 9 maji, do të jetë e fundit të cilin qytetarët e Kosovës e shënojnë pa liberalizim të vizave, deklaroi sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. “Dua të jem i sinqertë me ju. Ne presim që institucionet e BE së në periudhën diku 4 javë apo 5, të konfirmojnë që Kosova i ka kryer obligimet për liberalizim. Pastaj nuk do të thotë se i marrim menjëherë vizat. Duhet të jemi të kujdesshëm. Për shkak se qeveritë veç e veç, mund të kenë kërkesa të posaçme. Diku ka vjeshta shpresoj, nuk po jap data, sepse se mund të thonë qe po ndërhynë në datat tona. Por dikur kah vjeshta besoj se do të udhëtojmë lirshëm”, tha ai.
Gjithashtu Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur të ndajë 20 mijë euro për dy familjet e zyrtarëve policorë që kanë humbur jetën në aksidentin në magjistralen Kaçanik- Hani i Elezit, më 29 prill. Haradinaj, tha se kjo ndihmë modeste, shpreh respektin dhe nderimin për ta. “Në këtë mbledhje të qeverisë propozoj që të ndahen nga 10 mijë euro për secilën familje të zyrtarëve policorë, të rënë në aksidentin e ndodhur në Kaçanik-Hani i Elezit. Sot Qeveria duke shprehur dhe respektin për policët e nderimin për ta, mund ta aprovojë dhe këtë ndihmë, që vërtetë është modeste, por që është një dëshmi e përkrahjes së vazhdueshme të Qeverisë e institucioneve të vendit për familjet e policëve, në këtë rast të dy policëve të vdekur në aksidentin”, tha ai.