Sukses gjithmonë ka shenja të së kaluarës, kështu ndodhi edhe për Troy Deeney, sulmuesin e Watford, që sot do të zbresë në fushë kundër Manchester City për finalen e FA Cup.
Kapiteni ka qenë përcaktues këtë sezon me 11 gola dhe 5 asist. Në një intervistë për “ESPN”, anglezi ka zbuluar se e shkuara e tij nuk ka qenë shumë e lehtë, teksa në vitin 2012 u përball me vdekjen e babait dhe një javë më pas përfundoi në burg, ku u dënua me 10 muaj për shkak të një sulmi fizik në grup ndaj disa studentëve.
Fati ishte më të sepse pranoi fajin dhe arriti të dalë pas 3 muajsh. Pikërisht ky moment ka qenë kthesa e tij, sepse burgu e “solli në vete” dhe bëri që të heqë dorë nga veset dhe të përqendrohet vetëm tek stërvitja dhe futbolli.
“Kur shoh pas dhe sot mendoj se do jem në finale, ku do të takoj princin William dhe gjëra të tilla, jam shumë krenar për këtë që kam arritur”, tha fillimisht 30-vjeçari.
“Isha një fëmijë si gjithë të tjerët, por ambienti më ndryshoi. Mendoj se jam njeri me fat. Viti 2012 ishte i vështirë për mua. Humba babanë dhe pas një jave përfundova në burg, të gjithë këto emocione më goditën fort.
Burgu më bëri të reflektoj dhe të kontrolloj veten time. Më hapi rrugë të reja…siç ishte gjetja e një psikologu dhe të përballem me problemet e mia sepse pija shumë alkool. Sapo dola lashë alkoolin, bixhozin, dhe u ndava nga partnerja.
Që kur dola nga burg, sërish bëj gabime, mos më gjykoni sepse nuk jam një engjëll, por thjesht bëj gabime normale si të gjithë njerëzit e tjerë”, zbuloi Deeney.
Ai shtoi se Watford besoi tek ai edhe pse ra në burg. Trajneri Gianfranco Zola e mbështeti fort dhe sapo doli tregoi se iu përkushtua stërvitjes për t’u kthyer në formë optimale.