Nga Qerim LITA
Të hënën (26 mars 2018) Shkolla fillore “Liria” kremtoi 95 vjetorin e lindjes së themeluesit të shkollave shqipe në këto treva, atdhetarit dhe udhëheqësit të organizatës antikomuniste Nacional Demokratike Shqiptare, Azem Marana, i cili së bashku me dy figurat tjera të kësaj organizate: kapiten Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi më 19 maj të vitit 1947 u pushkatuan, pasi paraprakisht në procesin gjyqësor të zhvilluar më 26 janar – 7 shkurt 1947 nga Gjyqi i Qarkut në Shkup u dënuan me vdekje ekzekutim. Pushkatimi i tyre u krye nga ana e një komisioni të cilin e udhëhiqte komunisti dhe antishqiptari i përbetuar, Reis Shaqiri, i cili asaj kohe mbante postin e kryeshefit të OZN-ës për rrethin e Shkupit.
Për këtë përvjetor me peshë historike, përkatësisht për aktivitetin që u zhvillua në Shkollën fillore “Liria”, u njoftova nga mediumet elektronike e të shkruara në gjuhën shqipe, të cilët i dhanë një hapësirë të merituar. Nga ajo çfarë arrita të shoh, në atë eveniment ishin ftuar shumë individë, të cilët dikur i duartrokitnin shokut Tito e shokut Llazo (Kolishevskit), ndërsa atë ditë nxorën lot krokodili për këtë personalitet të madh shqiptar. Përveç kësaj, organizatorët, pa mos u konsultuar fare me mua, hapësirën e paraparë për manifestim e kishin stolisur me fotografi të Azem Maranës, të cilat personalisht unë kam arritur t’i zbuloj pas një pune të gjatë e të mundimshme nëpër depot e arkivave komuniste të ish RSFJ-së. Sikur tërë kjo të mos mjaftonte, në fjalimet e mbajtura me këtë rast, të ashtuquajturit “historiane”, pa fije turpi keqpërdorën veprat e mija të shumta kushtuar Azem Maranës dhe Organizatës së NDSH-së, pa mos e përmendur fare burimin e atyre të dhënave. Ata, duke mos pasur as njohuri elementare për këtë atdhetarë shqiptar, sikurse edhe për Shkollën fillore LIRIA, në referatet e tyre, i ngatërruan datat, përkatësisht 95 vjetorin e lindjes së Azem Maranës (ditëlindja e tij e saktë sipas dokumenteve është 25 mars 1923), e prezantuan si 95 vjetori i hapjes së shkollës shqipe në Shkup, në rastin konkret të SHF LIRIA. Sipas kësaj logjike, del se kjo shkollë na qenka hapur në kohën e pushtimit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, përkatësisht, më 25 mars të vitit 1923.
Nisur nga kjo, u imponua si domosdoshmëri të jap një sqarim për opinionin shqiptar, sepse folësit në këtë ngjarje (injorantët) krijuan një huti, duke i hapur shteg dilemës se a u bë fjalë për 95 vjetorin e lindjes së Azem Maranës apo 95 vjetori i hapjes së shkollës në gjuhën shqipe në Shkup.
Tashmë dihet mirëfilli se Shkolla fillore LIRIA në Shkup, është hapur më 1 dhjetor 1944, me nismën e dy mësuesve shqiptar nga ky qytet: Azem Marana dhe Hasan Bilalli, dhe se drejtues, përkatësisht drejtor i parë i kësaj shkolle u zgjodh Azem Marana. Ky fakt është mohuar me dekada të tëra, pikërisht nga stafi i mëhershëm dhe i tanishëm drejtues i kësaj shkolle si dhe nga disa individë pjesëmarrës në këtë eveniment, të cilët madje shkuan aq larg saqë Azem Maranën e kishin shlyer edhe nga lista e mësuesve të kësaj shkolle.
Është koha t’i japim fund aktiviteteve sa për sy e faqe, të cilat janë karakteristikë e injorantëve. Një aktivitet të tillë nuk e meritoi Azem Marana dhe shokët e tij, të cilëve u kemi borxh një trajtim më dinjitoz dhe pa improvizime.