Laura PAPRANIKU
Shkup, 28 dhjetor – Gjetja e pikëtakimeve mes historisë dhe teknologjisë informatike, duke qëndruar në mes urë lidhëse mes të kaluarës dhe të ardhmes, ishin sfida që të enjten u përmbyll me sukses nga gjimnazistët e “Zef Lush Markut” në Shkup, shkruan gazeta KOHA. Për rreth katër muaj, profesorët e kësaj lënde u angazhuan dhe punuan me nxënësit e viteve të para për projektin “Mësimdhënia e historisë dhe teknologjia informatike” duke i motivuar në punimin e temave që kanë të bëjnë me gjenezën e historisë njerëzore, fiset ilire dhe Maqedoninë antike. Mirëpo, çështja e mësimdhënies në këtë lëndë është shumë më e ndëllikuar nga sa mund të pritet, pasi ka shumë gjëra të cilat në vend që të mirëkuptohen – keqkuptohen dhe keqinterpretohen. Sakaq, në shkollat e Maqedonisë, ku sot e kësaj dite janë për përdorim zyrtar libra që ofendojnë shqiptarët, mësimdhënia në lëndën e historisë komplikohet dhe vështirësohet ende më shumë.
Profesor Naser Miftari, i cili drejtoi projektin “Mësimdhënia e historisë dhe teknologjia informatike”, tregon për sfidën që duhej tejkaluar.
“Mësimdhënia është njëra prej veprimtarive më të shenjta, mirëpo kur hyn në mes historia – bëhet njëra prej veprimtarive mbase më të komplikuara. Për ti përballuar të gjitha sfidat dhe për të mbajtur lidhjen mes të vjetrës dhe të resë, na është dashur të jemi jo vetëm të kujdesshëm, por bashkëveprues edhe me prindërit për t’i motivuar nxënësit që të gjejnë më të mirën e mësimdhënies në këtë lëndë”, tregon Miftari. Historia, sipas tij, u keqpërdor çdo herë prej atyre që në ADN-në e vet kanë qëllime egoiste e personale dhe që shkencën e shndërruan në mjet për shpërndarjen e keqkuptimeve dhe keq interpretimeve. Prandaj, plotëson më tej profesor Miftari, ne mësimdhënësit e historisë ballafaqohemi me probleme të natyrave të ndryshme, objektive dhe subjektive, ndërsa thotë se kanë bërë maksimumin që të motovojnë nxënësit në mësimin sa më objektiv të lëndës, si dhe dhënien e mësimit të kësaj lënde me metoda sa më atraktive, të mundësuara ato nga shkenca e teknologjisë informatike.
“Historia, nga retrospektiva në perspektivë është sfida e historianëve të rinj, të cilët nuk janë aspak fajtorë për vështirësitë dhe barrierat që hasen gjatë mësimit, studimit dhe ligjërimit të kësaj lënde”, vëren më tej ai. Për realizimin e këtij projekti, profesor Miftari krahas kolegëve të lëndës – ka pasur mbështetjen e edhe të kolegëve tjerë, sidomos të artit figurativ, informatikës, gjuhës shqipe, psikologes dhe drejtorit të shkollës. Librat aspak cilësore të historisë, janë një sfidë më vete. “Natyrisht që për punimin e temave, mentori i nxënësve profesor Naser Miftari u ka dhënën atyre mundësi që të shfrytëzojnë apo të konsultohen edhe literaturë jashtë njësive mësimore, posaçërisht për kohën e periudhës ilire”, thotë profesori tjetër i historisë, Besnik Rahmeti. Në shkollë, plotëson më tej ai, jemi të detyruar të punojmë me librat të cilat janë lëshuar në përdorim nga Ministria.
“Mirëpo, në rastin e këtij projekti, kur nxënësit zgjidhnin të thellojnë njohuritë e veta për tema të caktuara mentori i tyre, profesor Miftari u ka ofruar edhe materiale të tjera, libra më të thelluar në shkencën e historisë”. Profesor Rameti, tregon se në librat zyrtar, pra në ato që profesorët janë të detyruar ti shfrytëzojnë si mjet punë gjatë zhvillimit të orëve të rëndomta të historisë ka ende pjesë kontestuese. “Kontestet historikë vërehen posaçërisht te fiset ilire. Konkretisht Dasaretët i gjejmë të numëruar edhe si fis i ilirëve edhe si fis i maqedonasve. Pra, krijohet një konfuzion pasi në tekstet shkollore të historisë nuk nënvizohet fakti se maqedonasit janë fis ilir. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm neve historianët, pra profesorët e historisë që t’jua shpjegojmë nxënësve këtë fakt”, sqaron profesor Rahmeti. Projekti “Mësimdhënia e historisë dhe teknologjia informatike” u përmbyll me ndarjen e tre çmimeve të para të cilat u takuan nxënësve Adis Ramadanit, Egzona Bekteshit dhe Arita Vranezit, si dhe me një program kulturor ku u shpalosën vlerat e veshjeve popullore, ushqimeve tradicionale, dhomave dhe muzikës së rapsodëve. U ndanë gjithashtu mirënjohje për shtëpinë botuese “Shkupi”, e cila ndau libra për 30 nxënësit pjesëmarrës në këtë projekt, si dhe për Shoqërinë Kulturore-Artistike të Rashçes. (koha.mk)