Shkup, 20 qershor – Personat e propozuar nga Qeveria për kryetar dhe anëtarë të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE) janë zgjedhur përmes shpalljes publike, informon sot zëdhënësi qeveritar Muhamed Hoxha.
“Në shpalljen që ka zgjatur nga data 8 e deri më 14 qershor aplikuan gjithsej 13 persona. Zgjedhjen, sipas kritereve të konfirmuara ligjore, e ka bërë Komisioni për emërime në suaza të Qeverisë”, tha Hoxha në përgjigjen e pyetjes në konferencën për shtyp në Qeveri.
Ai potencoi se kryetari i Komisionit kadrovik qeveritar është zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ndërsa anëtarët janë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, zëvendëskryeministri Hazbi Lika, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ministri i Financave Dragan Tevdovski, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraki dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski.
Komisioni qeveritar i propozoi Marko Bislimovskin për kryetar, ndërsa Natasha Veljanovskan, Atanasko Tuneskin dhe Kushtrim Ramadanin për anëtarë të Komisionit Rregullator për Energjetikë.